Qyteti i Lezhës mirëpriti edicionin e 21-të të Upshift në Shqipëri, një aktivitet i cili u organizua në ambientet e Shkollës Profesionale “Kolin Gjoka” nga ICTSlab dhe UNICEF me mbështetjen e Qeverisë Amerikane dhe në partneritet me aktorët lokalë.
60 të rinj ju përgjigjen thirrjes së Upshift për të sjellë zgjidhje inovative në shërbim të komuniteteve lokale, ndërsa në mesin e tyre kishte edhe të rinj Afganë. Mëse 80 pjesëmarrës ishin prezent në evenimentin e mbylljes së këtij edicioni.
Upshift-i i radhës në qytetin e Lezhës priti aplikimet për grupe të rinjsh prej 4-5 anëtarësh deri më 30 Shtator. Më 8 Tetor grupet e të rinjve u njohën me mentorët e tyre në Fazën Zero, e cila u realizua përmes një takimi virtual gjatë të cilit mësuan rreth Hartës së Palëve të Interesit, ndërtuan intervistat dhe Pemën e Problemit.
Këtij edicioni ju bashkuan 13 mentorë si: Erisa Habili, Eltion Kuptrija, Fabjola Ndoj, Jetmir Shtjefni, Krisi Kllapi, Mario Paloka, Pranvera Krasniqi, Rovena Bicaj, Sara Kaza, Suad Arilla, Valentin Prendi, Vjola Gjeloshi dhe Mohammad Amarkhail.
Eco Heroes, Lezha Vision, TIKSA, Inovatorët, Infinity Marketing, G-Force, Zërat e Ndryshimit, Guardians, Artistët dhe Lezha Nett Map ishin grupet pjesëmarrëse të këtij edicioni.
Workshopi nisi zyrtarisht më 11 Tetor ndërsa të rinjtë u ekspozuan për herë të parë me Metodologjinë Design Thinking, mbi të cilën ngrihet tërë kurrikula e sipërmarrjes sociale që gjendet në zemër të Upshift. Gjatë pjesës së parë të ditës së parë grupet punuan me Sfidën e Dizajnit për të vijuar në pjesën e dytë me konceptimin dhe modelimin e zgjidhjeve të para dhe krijimit e testimit të prototipeve.
Gjatë ditës së dytës grupet u rikthyen për të vijuar punën me implementimin e mëtejshëm të zgjidhjes, ndërtimit të buxhetit dhe përgatitjes së prezantimeve.
Pjesa e dytë e ditës ishte rezervuar e gjitha për finalen e Upshift, atë të prezantimit të zgjidhjeve përballë jurisë e cila përbëhej nga znj. Esmeralda Shala, CEO e ICTSlab, z. Bardh Dedgjonaj, Drejtor i Shkollës Profesionale “Kolin Gjoka”, znj. Brisida Jahaj, Oficere e Zhvillimit të Adoleshentëve pranë UNICEF Albania, Znj. Edra Xhaxho Asistente e Programit pranë Unicef Albania, dhe znj. Eralda Alhysa nga Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës.
Evenimenti u përshëndet nga znj. Linda Bushati, Specialiste e Programit të Edukimit në UNICEF Albania, z. Marilo Meta nga Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës, z. Bardh Dedgjonaj, Drejtor i Shkollës Profesionale “Kolin Gjoka”, Chris Lay, Koordinator i Mbështetjes së Afganëve në Shqipëri dhe z. Kushtrim Shala, bashkëthemelues i ICTSlab.
“Upshift po shkon gjithnjë e më shumë UP në sensin e energjisë dhe inovacionit që sjell. Kjo është logoja (Upshift) që ju mëson aftësitë e shekullit 21, një formulë për qytetarin e së ardhmes dhe të qëndrueshëm,” tha z. Kushtrim Shala gjatë fjalës së tij përshëndetëse.
“Ka tre edicione që vimë në Lezhë dhe ka një arsye pse. Sepse këtu gjejmë përgatitjen, angazhimin, dashurinë për të bërë diçka inovative,” tha znj. Linda Bushati.
“Jemi të lumtur që të bëhemi pjesë e këtij projekti që të rinjtë dhe të rejat e Lezhës së bashku me të rinjtë dhe të rejat Afganë të vinë të shpalosin vlerat e tyre këtu,” tha z. Bardh Dedëgjonaj.
Secili prej grupeve prezantoi për 3 minuta ndjekur nga 2 minuta pyetje dhe përgjigje nga juria. Inovatorët, Lezha Vision dhe Artistët u shpallën grupet fituese të këtij edicionit të cilët do të përfitojnë mbështetje financiare për implementimin e idesë së tyre.
Grupet Fituese
Grupi Lezha Vision me anëtarë Gleidi, Kejvin, Nelson, Desilda, Mahnaz, Wahidullah dhe mentor Jetmirin dëshirojnë të sjellin një aplikacion mobile që ofron turizëm dixhital duke përfshirë guidë zanore, kalendar të ngjarjeve lokale, harta digjitale etj.
Grupi Innovators me anëtarë Husna, Hidayatullah, Sediq, Satayesh dhe mentore Vjolën synon të krijojë një hapësirë miqësore në shkollë ku adoleshentët të mund të shpenzojnë kohën e lirë.
Grupi Artistët i përbërë nga: Fabian, Aldor, Diljana, Florin, Sara me mentor Suadin dhe Eltionin ka për qëllim krijimin e një klase artistike në shkollën “Kolin Gjoka”.