Të rikthejmë vendin tonë të merituar: “Cola Gaza” synon suksesin në Britani dhe fuqizimin e rezistencës palestineze

Osama Qashoo beson me vendosmëri në fuqinë e bojkoteve dhe veprimit të drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund gjenocidit të Izraelit ndaj Rripit të Gazës dhe pushtimit brutal të tokës palestineze.

Së bashku me punën e tij në terren, aktivisti palestinez për dekada ka qenë një përkrahës i shquar i lëvizjes Bojkot, Zhvendosje dhe Sanksione (BDS), lëvizja e cila, siç thotë ai, ka qenë “një kampion i madh dhe një nxitës”.

Mënyra e tij e re për të bërë pjesën e tij u nxit nga pyetja “Bojkotimi është i lehtë, por cili është produkti alternativ” dhe përgjigja erdhi në formën e “Gaza Cola”.

Kjo pije ka rezultuar të jetë një sukses komercial në Mbretërinë e Bashkuar, deri në pikën ku kompania po ndjek zgjerimin në gjeografi të tjera dhe gjeneron fitime që shkojnë drejtpërdrejtë në fondet për projektet e rindërtimit në Gaza.

Në një bisedë me Anadolun nga Londra, ku Qashoo po mbikëqyr operacionet e kompanisë, ai tha se “Gaza Cola” erdhi në jetë për të ofruar një produkt alternativ që ka shije të njohur, por që i lejon njerëzit të veprojnë sipas vlerave të tyre. Kjo pije, tha ai, mbart gjithashtu flamurin palestinez dhe përfaqëson qëndrueshmërinë.

“Kjo është 100 për qind në pronësi të familjeve palestineze, disa prej të cilave jetojnë në tenda në vijën e parë. Të gjitha fitimet shkojnë drejt projekteve vitale, si rindërtimi i spitaleve dhe mbështetja e rritjes së komunitetit”, thotë Qashoo.

Ai thekson se “lakmia është e pakufizuar, por nevoja është e kufizuar”.

“Ne po investojmë në krijimin e jetës, në ndërtimin dhe rindërtimin, në sponsorizimin e rritjes së komunitetit tonë”, shprehet ai.

– “Gaza Cola”, një strategji e tregtisë, jo e ndihmës

“Gaza Cola” operon nën një strukturë inovative që ndërthur parimet e një bamirësie, një kompanie me interes të komunitetit dhe biznesit. Qashoo e përshkruan këtë si një strategji “tregtie, jo ndihme”.

Ai theksoi se palestinezët janë një komb krijues dhe që e marrin veten shpejt.

“Ne nuk jemi të trajnuar për të qenë lypës të varur nga ndihma. Në vend të kësaj, ne synojmë të rindërtojmë dinjitetin tonë përmes modeleve të biznesit të pavarur dhe etikës”, thotë Qashoo.

“Gaza Cola” për të është më shumë një deklaratë kulturore dhe politike, sesa thjesht një biznes.

“Ne synojmë të rimarrim pozicionin tonë të dinjitetit dhe fuqisë. Historia jonë është një histori e qëndrueshmërisë dhe kontributit në botë, nga algoritmet në tregti. ‘Gaza Cola’ është pjesë e kësaj trashëgimie”, tha ai.

Duke pranuar pengesat për ta bërë realitet brendin “Gaza Cola”, ai theksoi se duhet të krijonin një model krejtësisht të ri të pronësisë, shpërndarjes dhe sponsorizimit.

“Ishte sfiduese të transmetoje diçka kaq të panjohur”, shtoi ai.

Një tjetër arritje e vështirë, siç tha ai, ishte “ardhja me një produkt të mahnitshëm që ka formulën, shijen dhe ngjashmërinë me atë që njerëzit janë mësuar, diçka të prekshme që njerëzit mund ta përdorin” për bojkot.

“Bojkoti është një mjet i mrekullueshëm për ata që nuk mund të jenë në vijën e parë, por duan të bëjnë ndryshim. Ajo funksionoi në mposhtjen e aparteidit në Afrikën e Jugut dhe ne duhet ta përdorim atë përsëri”, tha Qashoo.

– Në kërkim të partneritetit në Türkiye

Që nga nisja e saj, “Gaza Cola”, e cila prodhohet në Evropë dhe importohet në Mbretërinë e Bashkuar, ka shitur më shumë se gjysmë milioni kanaçe, me mbi 1 milion të tjera të paraporositura.

“Gaza Cola” gjithashtu po importohet në disa vende muslimane, ndërsa kohët e fundit Qashoo nënshkroi një marrëveshje për 10 kontejnerë të pijeve dhe po kërkon partneritete strategjike për të zgjeruar prodhimin.

Ai sheh potencial të madh në bashkëpunimin me prodhuesit turq, duke theksuar avantazhet gjeografike të Türkiyes dhe rrjetet e forta tregtare në gjithë Afrikën dhe Lindjen e Mesme.

“Nëse kemi një aleat qendror në Türkiye, ne mund të plotësojmë kërkesën në rritje, e cila aktualisht është në 40 kontejnerë në muaj. Kjo është më shumë se 400 kontejnerë në vit”, tha ai.

Qashoo shpreh bindje se ky është vetëm fillimi i suksesit të brendit “Gaza Cola” dhe se iniciativa të tilla kanë fuqinë të frymëzojnë ndryshime më të gjera.

“Interesi strategjik që po marrim është përtej imagjinatës. Si kombe muslimane, ne kontrollojmë mbi 80 për qind të rrugëve tregtare të botës. Duke u fokusuar në tregtinë që ndërton dhe jo që shkatërron, ne mund të lëmë pas një trashëgimi prosperiteti dhe drejtësie. Ky është një akt i thjesht me potencial revolucionar. Nëse miliona njerëz në Lindjen e Mesme e kanalizojnë zemërimin dhe pasionin e tyre për të blerë ‘Gaza Cola’, kjo do të krijojë një ndikim masiv”, thotë Qashoo.

– “Mavi Marmara” ishte si Davudi dhe Xhaluti

Duke reflektuar mbi aktivizmin e tij të kaluar, Qashoo foli për përvojën e tij në “Mavi Marmara”, flotën e anijeve të ndihmës turke të destinuar për në Rripin e Gazës, që u sulmua nga komandot izraelite në ujërat ndërkombëtare në vitin 2010 dhe si pasojë u vranë 10 aktivistë, përfshirë shtetas turq, si dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

“Ne e dinim se po përballeshim me një rrethim masiv, jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga Perëndimi. Si një komunitet civil, ne u përpoqëm ta sfidonim atë dhe na bënë kasaphanë”, tha Qashoo.

“Forca që ata përdorën për të na ndaluar dhe për të marrë ‘Mavi Marmaranë’ ishte diçka që ne nuk e prisnim. Nuk e kuptuam se do të vinin tetë anije luftarake, varka të panumërta ‘Zodiac’ dhe helikopterë. Të shtënat dhe çmenduria që ndodhën në anije janë gjëra që nuk do t’i harroj kurrë në jetën time”, shtoi Qashoo.

Ai përshëndeti vullnetarët turq të misionit për kontributet dhe përpjekjet e tyre vendimtare për Palestinën.

“Mavi Marmara dhe Flotilja e Lirisë nuk do të ishin organizuar pa miqtë turq emocionalë, pasionantë dhe të përkushtuar. Ata dhanë gjithçka dhe ishte një pikë kthese në mënyrën se si unë e shoh forcën turke dhe ndryshimin që ata mund të krijojnë. Në nivel personal, ishte si Davudi dhe Xhaluti”, tha ai.

Derisa palestinezët dhe aleatët e tyre vazhdojnë luftën për drejtësi dhe liri, Qashoo theksoi nevojën dhe fuqinë e veprimit kolektiv.

“Ne jemi përballur me sfida të mëdha, por forca jonë qëndron në unitetin dhe qëndrueshmërinë tonë. Ne jemi të aftë të japim, të krijojmë dhe të udhëheqim me dinjitet. ‘Gaza Cola’ është vetëm fillimi i rikthimit të vendit tonë të merituar në botë”, thekson Qashoo.