Për të pestën ditë me radhë Turqia vijon të jetë nën pushtetin e zjarreve të cilat kanë djegur me qindra hektarë tokë dhe banesa. Numri i të vdekurve ka arritur në tetë, ndërsa me dhjetëra të tjerë janë lënduar. Vullnetarët po ndihmojnë zjarrfikësit për të vendosur nën kontroll flakët.
Turistët vijojnë të largohen nga resortet turistike në qytetet e njohura të Antalias dhe Mugla.
Roja bregdetare mbetet në gatishmëri pranë bregdetit në rast se nevojitet një evakuim më i madh.
Në Greqinë perëndimore erërat e forta kanë ndikuar që zjarret të rezistojnë në fronte të shumta. Të paktën katër fshatra janë evakuuar pranë Patrës, qytetit të tretë më të madh të vendit dhe shumë prej tyre kanë humbur gjithçka. Qindra zjarrfikës, të ndihmuar nga avionët që hedhin ujë, vijojnë punën për të menaxhuar vatrat e zjarrit.
Sicilia po ashtu vazhdon të luftojë me zjarret e shumta që kanë përfshirë ishullin, një operacion që vështirësohet nga temperaturat e larta. Guvernatori kërkoi ndihmë nga Roma. Sipas policisë, më shumë se 800 zjarrfikës janë përfshirë në shuarjen e zjarreve.
Në Pescara, vendpushimi i njohur Pineta Dannunziana po ashtu po digjet. Shumë banesa u evakuuan, ndërsa ndihma e Forcave Ajrore ishte e nevojshme për shkak të përhapjes së zjarreve.
Në këto ditë të nxehta Jugu i Evropës po përballet me temperatura të larta, që ka çuar në shpërthimin e zjarreve dhe që pritet të zgjasin edhe gjatë ditëve të para të gushtit. /euronews