Të paktën 59 palestinezë të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza

Të paktën 59 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë nga një valë e re bombardimesh izraelite që ka përfshirë të gjithë Rripin e Gazës, njoftojnë burime mjekësore për Al Jazeera. Sulmet vijnë teksa ushtria izraelite ka lëshuar urdhra evakuimi për zonat Beit Hanoun dhe Sheikh Zeid në veri të enklavës.

Sipas ekipeve të shpëtimit, të paktën 12 anëtarë të së njëjtës familje u vranë të enjten kur shtëpia e tyre në Jabalia, në veri të Gazës, u godit nga një sulm ajror. Gjithashtu, një çift dhe katër fëmijët e tyre humbën jetën kur një tjetër goditje ajrore rrafshoi shtëpinë e tyre në qytetin e Gazës.

Ahmed Arar, një punonjës i emergjencës, tha për Al Jazeera se në vendin e ngjarjes kishte “sasi të mëdha pjesësh trupore, përfshirë ato të fëmijëve”.
“Janë vetëm duar, këmbë dhe koka. Të gjitha të ndara dhe të shqyera,” deklaroi ai.

Në një tjetër sulm në një ish-stacion policie në Jabalia, u vranë të paktën 10 persona dhe disa të tjerë u plagosën, sipas Spitalit Indonezian në atë zonë.

Një dëshmitar, 23-vjeçari Abdel Qader Sabah nga Jabalia, përshkroi panikun që pasoi sulmin: “Të gjithë nisën të vrapojnë dhe të bërtasin, pa ditur çfarë të bënin nga tmerri dhe fuqia e shpërthimit.”

Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur një “qendër komanduese të Hamasit” në Jabalia, pa e specifikuar nëse objektivi ishte pikërisht stacioni i policisë. Justifikime të ngjashme janë përdorur më parë edhe për sulme ndaj spitaleve dhe strehimoreve të mbushura me civilë të zhvendosur.

Sipas burimeve mjekësore dhe mbrojtjes civile, edhe 26 palestinezë të tjerë janë vrarë në pjesë të tjera të Gazës gjatë të njëjtës ditë.

Gazetari i Al Jazeera, Tareq Abu Azzoum, raportoi nga Deir el-Balah se “ka një intensifikim të ndjeshëm të sulmeve izraelite në të gjithë Rripin e Gazës”. Ai citoi një punonjës shpëtimi që tha se shumë prej viktimave kanë pësuar djegie të rënda.

Kriza humanitare dhe kërcënimi për një ofensivë më të madhe

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake më 18 mars, duke i dhënë fund një armëpushimi dy mujor që kishte sjellë një ndalesë të përkohshme të luftimeve. Tashmë për javën e tetë radhazi, pikat kufitare mbeten të mbyllura, duke penguar ndihmat jetike humanitare, përfshirë furnizimet mjekësore dhe karburantin.

Shefi i ushtrisë izraelite, gjatë një vizite te trupat në Gaza, paralajmëroi për një “ofensivë edhe më të madhe” nëse pengmarrësit e sulmit të Hamasit më 7 tetor nuk lirohen së shpejti.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se urdhrat e evakuimit po çojnë drejt një “zhvendosjeje të detyruar” të banorëve në zona gjithnjë e më të kufizuara. Agjencitë humanitare vlerësojnë se shumica e popullsisë prej 2.4 milionë banorësh në Gaza është zhvendosur të paktën një herë që nga fillimi i luftës.

Spitali i Fëmijëve Durra në qytetin e Gazës është shpallur jashtë funksionit, pasi një sulm izraelit goditi katin e sipërm të ndërtesës, duke dëmtuar repartin e terapisë intensive dhe sistemin e paneleve diellore.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga rifillimi i sulmeve, janë vrarë të paktën 1,978 persona, duke e çuar numrin total të të vrarëve në 51,355 që nga tetori i vitit 2023.

Ushtria izraelite pranoi gjithashtu se zjarri i tankeve të saj vrau një punonjës të Kombeve të Bashkuara në Deir el-Balah muajin e kaluar. Një hetim paraprak vërtetoi incidentin, megjithëse fillimisht ushtria kishte mohuar praninë e saj në zonë.

Hetime të tjera kanë zbuluar gjithashtu “dështime operacionale” në rastin e vrasjes së 15 punonjësve të urgjencës palestinezë, dhe një komandant fushor do të shkarkohet nga detyra.