Të paktën 55 pa’lestinezë të tjerë vr’iten nga su’lmet iz’raelite në Rripin e Ga’zës

Të paktën 55 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga tetori i vitit të kaluar në të paktën 43.314, transmeton Anadolu.

Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza po ashtu njoftoi se rreth 102 mijë palestinezë të tjerë janë plagosur nga sulmet e vazhdueshme izraelite.

“Forcat izraelite vranë 55 persona dhe plagosën 192 të tjerë në shtatë masakra ndaj familjeve në 24 orët e fundit. Shumë njerëz ende mbeten të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk mund t’i arrijnë ata”, tha ministria palestineze.

Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli vazhdon me ofensivën brutale ndaj Rripit të Gazës që nga sulmi i grupit palestinez Hamas më 7 tetor të vitit 2023.

Agresioni izraelit ka shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të të gjithë popullsisë së territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Përpjekjet ndërmjetësuese nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza, si dhe për shkëmbimin e të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar për shkak të refuzimit për të ndalur luftën nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Për veprimet në Rripin e Gazës, Tel Avivi gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.