Të paktën 44 palestinezë të tjerë vriten në sulmet e reja ajrore izraelite në Gaza

Të paktën 44 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet e reja ajrore izraelite në Rripin e Gazës së shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu.

Sipas një burimi mjekësor, sulmet ajrore izraelite goditën një bllok apartamentesh banimi në lagjen Shejaiya në Qytetin Gaza, duke vrarë të paktën 15 persona.

Burimi tha se edhe pesë të tjerë humbën jetën në sulmet izraelite në shtëpitë përgjatë lagjes Al-Yarmouk në pjesën qendrore të Qytetit Gaza.

Një tjetër burim mjekësor tha se avionët luftarakë izraelitë goditën edhe tre shtëpi palestineze, duke vrarë të paktën 12 persona në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

12 palestinezë të tjerë u vranë kur forcat izraelite bombarduan shtëpitë dhe tendat që strehonin civilët e zhvendosur në disa zona në të njëjtin qytet.

Të dielën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të përshkallëzojë sulmet në Gaza mes përpjekjeve për të zbatuar planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga enklava.

Të paktën 50.400 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës në sulmet ushtarake izraelite që nga tetori i vitit 2023, kryesisht gra dhe fëmijë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrin të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.