Të paktën 34 zjarre aktive në Shqipëri

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako deklaroi se vetëm në 24 orët e fundit janë fikur mbi 30 zjarre, për të cilat u angazhuan 1000 forca, ndërkohë që bëri sërish thirrje për koordinim dhe njoftim më të shpejtë nga ana e autoriteteve lokale për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

“Pas një 24 orëshi të vështirë, për shkak të temperaturave të larta, kanë qenë të paktën 34 zjarre të cilat janë monitoruar nga EC. 1004 forca janë angazhuar për fikjen e zjarreve gjatë ditës së fundit që kanë pasur mbështetje nga strukturat lokale dhe nga helikopterë. Sot nuk jemi në të njëjtat rrethana si dje. Kemi ende zjarre aktive në Shkodër, Mat, Krujë, Kurbin. Këto zjarre po monitorohen, ka struktura të shumta në vendngjarje. Janë angazhuar dhe forcat e armatosur. Në bazë të ligjit për mbrojtjen civile, njësitë lokale janë përgjegjëse drejtpërdrejt. Ka një ndryshim rrënjësor me angazhimin. Kapacitetet nuk janë maksimale për të përballuar zjarre masive. Por është i rëndësishëm koordinimi dhe njoftimi i menjëhershëm. Sa më shpejt të reagojmë do të jemi më produktivë, përsa kohë zjarri nuk ka marrë përmasa. Dita e djeshme kishte situata kritike që falë ndërhyrjeve shpëtuan godinat dhe jetën e njerëzve”, tha Çako.