Të paktën 25 persona kanë humbur jetën në Mianmar dhe një në Tajlandë ndërsa 43 të tjerë mbeten të zhdukur nga shembja e një rrokaqielli në Bangkok pas një tërmeti të fortë 7,7 ballë me epiqendër në rajonin Sagaing të Mianmarit, transmeton Anadolu.
Goditja e parë u pasua nga një tërmet me magnitudë 6,4 ballë 12 minuta më vonë, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.
Një person ka humbur jetën dhe 43 të tjerë janë bllokuar në një ndërtesë të lartë në ndërtim në lagjen Chatuchak, Bangkok, njoftoi Thai PBS.
Një manastir në qytetin Taungoo në Mianmar gjithashtu është shembur, duke shkaktuar vdekjen e pesë fëmijëve të zhvendosur, raportoi “Eleven Media Group”.
Të paktën 20 persona kanë humbur jetën pasi tërmeti goditi xhaminë “Shwe Pho Shing” në rajonin Mandalay gjatë namazit të xhumasë, raportoi “Khit Thit”.
“Ajo u shemb ndërsa ne ishim duke bërë adhurime. Rreth tri xhami u shembën. Ka njerëz të bllokuar. Të paktën 20 njerëz kanë vdekur tani. Numri i të vdekurve mund të jetë më i lartë. Xhamia ‘Shwe Pho Shing’ është shembur gjithashtu”, tha një punonjës shpëtimi.
Përpjekjet për shpëtimin e personave të bllokuar janë duke vazhduar.
Ura historike “Ava” në Mandalay u raportua gjithashtu të jetë shembur gjatë tërmetit, ndërsa Pallati historik Mandalay është dëmtuar.
MRTV-ja shtetërore, në kanalin e saj Telegram, duke cituar një deklaratë nga Këshilli i Administratës Shtetërore, tha se Komiteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në zonat e prekura nga tërmeti – Sagaing, Mandalay, Magway, Shan, Nay Pyi Taw dhe Bago.
Autoritetet tajlandeze gjithashtu e shpallën Bangkokun “zonë emergjente” pas tërmetit, sipas “Thai PBS News”.
Bursa e Tajlandës ndaloi tregtimin për shkak të tërmetit, raportoi “Thai Enquirer”.
Një spital i madh në kryeqytetin e Mianmarit, Nay Pyi Taw gjithashtu raportohet të ketë pranuar shumë viktima.
Të dyja lëkundjet, me një thellësi prej 10 kilometrash, ndikuan në komunikimin e telefonit celular.
Imazhet e shpërndara nga mediat lokale tregojnë ndërtesa dhe rrugë të dëmtuara. Lëkundjet janë ndier edhe në vendet fqinje.