“Krerët e grusht shtetit në mars kanë përdorur taktikë të dhunshme për të heshtur kritikët, ndërsa policia dhe trupat përdorën municion luftarak në protestat në mbarë vendin”, theksuan nga Shoqata për Ndihmë për të Burgosurit Politikë
Shoqata për Ndihmë për të Burgosurit Politikë (AAPP) konfirmoi se në Mianmar janë vrarë të paktën 224 persona që nga 1 shkurti kur ndodhi grusht shteti në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shoqata njoftoi se policia dhe forcat e sigurisë vranë edhe tre persona që protestuan kundër grusht shtetit.
“Që nga 18 marsi gjithsej 2.258 persona janë arrestuar, akuzuar ose dënuar në raste lidhur me protestat kundër grusht shtetit”, theksuan nga AAPP, një organizatë e pavarur që e kanë themeluar ish-të burgosur politikë nga Mianmari që jetojnë në ekzil.
Në raport theksohet se krerët e grusht shtetit në mars kanë përdorur taktikë të dhunshme për të heshtur kritikët, ndërsa policia dhe trupat përdorën municion luftarak në protestat në mbarë vendin.
Grupi po ashtu tha se regjimi antikushtetues ushtarak ka hequr licencat e pesë mediave lokale, ka bastisur zyrat e organizatave të ndryshme mediatike dhe ka arrestuar dhe ndaluar disa gazetarë në vend.
Sipas AAPP-së, të gjitha mediat private lokale në vend u pezulluan për shkak të formave të ndryshme të shtypjes, përfshirë proceset gjyqësore.
“Vetëm stacionet televizive dhe gazetat propaganduese të juntës vazhdojnë të mbulojnë narrativën e tyre”, thuhet më tej.
Një nëpunës civil, Ko Tun Htet Aung, vdiq nga plagët pasi u torturua nga ushtarët dhe policia në paraburgim në Monywa në Rajonin Sagaing, njoftuan mediat lokale.
Aung, një punëtor pylli 24-vjeçar, ishte bashkuar me lëvizjen e mosbindjes civile të Mianmarit (CDM) si një protestë kundër regjimit ushtarak, sipas “The Irrawaddy”.
Kujtojmë se Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.