Të paktën 20 palestinezë vriten në sulmin e avionëve izraelitë ndaj një shtëpie në Gaza

Të paktën 20 palestinezë janë vrarë dhe 50 të tjerë u plagosën si pasojë e shënjestrimit të një shtëpie familjare nga Izraeli në lagjen Shuyaiyya në pjesën lindore të Qytetit Gazës, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të marra nga burime spitalore, ushtria izraelite bombardoi një shtëpi në rrugën Bagdad në lagjen Shejaiya.

Në sulm humbën jetën të paktën 20 palestinezë dhe u plagosën 50 të tjerë.

Ka shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet pasi disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike, ndërsa dëshmitarët thanë se nën rrënoja ndodhen edhe shumë njerëz.

– Ushtria izraelite prishi armëpushimin dhe rifilloi sulmet e dhunshme në Gaza

Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite mëngjesin e 18 marsit rifilloi sulmet e dhunshme.

Të paktën 1.482 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 3.688 të tjerë janë plagosur në sulmet që ushtria izraelite ka kryer vetëm që nga 18 marsi.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 është rritur në të paktën 50.846, ndërsa numri i të plagosurve në 115.729.

Izraeli, i cili ka thyer armëpushimin, njoftoi se do të veprojë me “forcë ushtarake në rritje” kundër Hamasit, me arsyetimin se grupi ka refuzuar propozimet e reja për armëpushim.

Hamasi, nga ana e tij, tha se Izraeli nuk i zbatoi premtimet dhe “rifilloi gjenocidin kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës në prani të vendeve ndërmjetësuese të armëpushimit”.

Izraeli sulmet në Gaza i nisi nën hijen e hapave të diskutueshme politike, si shkarkimi i drejtorit të agjencisë vendase të inteligjencës Shin-Bet nga kryeministri Benjamin Netanyahu.