Këtë vit në botë kanë ndodhur disa aksidente avioni.
Aksidenti i avionit me më së shumti viktima këtë vit ndodhi në Brazil.
Një aeroplan pasagjerësh ATR-72 që i përkiste Voepass Airlines, i cili po fluturonte nga Cascavel në Guarolhus, u rrëzua më 9 gusht në një lagje në qytetin Vinhedo në veri të shtetit Sao Paulo.
Në aksident humbën jetën 62 persona, përfshirë 58 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Procesi i identifikimit ka qenë i vështirë për shkak se avioni ka marrë flakë pasi është rrëzuar në tokë.
Dhjetë pasagjerë që ishin vonë për fluturim i mbijetuan aksidentit.
Një tjetër aksident ka ndodhur në fillim të këtij viti, më 2 janar, në pistën e aeroportit Haneda në kryeqytetin Tokio ku u përplasën një avion pasagjerësh dhe një avion i Rojës Bregdetare.
Pas përplasjes, avionët kanë marrë flakë në pistë. Ndërsa 379 pasagjerët dhe ekuipazhi i aeroplanit u evakuuan në mënyrë të sigurt, pesë nga gjashtë personat në bordin e aeroplanit të Rojës Bregdetare humbën jetën dhe piloti ngeli i plagosur.
Piloti i aeroplanit të Rojës Bregdetare, i cili i mbijetoi rrëzimit, pohoi në dëshminë e tij në hetim se ishte lejuar të ulej.
Një tjetër aksident ka ndodhur më 5 janar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Një aeroplan pasagjerësh ABoeing 737 MAX 9 i Alaska Airlines bëri një ulje emergjente mbrëmjen e 5 janarit, sepse një pjesë e trupit të tij u shkëput ndërsa ishte në ajër.
Ndërsa aeroplani që udhëtonte nga Oregon në Kaliforni iu desh të bënte një ulje emergjente rreth 35 minuta pas ngritjes, u raportua se nuk kishte pasagjerë në seksionin ku u shkëput pjesa e trupit të avionit.
Alaska Airlines tha se avioni u ul në mënyrë të sigurt me 171 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit në bord.
18 persona humbën jetën në një aeroplan që u rrëzua në pistë gjatë ngritjes në Nepal më 24 korrik.
Një aeroplan me 19 persona rrëshqiti dhe u rrëzua gjatë ngritjes në Aeroportin Ndërkombëtar Tribhuvan në kryeqytetin Katmandu. Ndërsa u gjetën trupat e 18 personave në aeroplanin e Saurya Airlines, piloti mbijetoi me plagë.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se më 24 janar një avion rus me të burgosur ukrainas u godit në zonën e Belgorodit nga një raketë e lëshuar nga Ukraina.
Nuk kishte të mbijetuar në aeroplanin, i cili mbante 74 persona, duke përfshirë një ekuipazh prej gjashtë anëtarësh, 65 ushtarë ukrainas të kapur në konflikt dhe tre personel ushtarak rus që i shoqëronin.
Presidenti rus Vlladimir Putin tha gjithashtu se Ukraina e rrëzoi avionin me sistemin antiajror amerikan “Patriot” dhe kreu një “krim”.
Një aeroplan transporti ushtarak IL-76 me 15 persona u rrëzua më 12 mars në rajonin rus të Ivanovës. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi në atë kohë se avioni transportues ushtarak IL-76 u rrëzua për shkak të zjarrit në motor.
Ekuipazhi prej tetë anëtarësh dhe shtatë pasagjerë në aeroplan humbën jetën në aksident.
Avioni i pasagjerëve Sukhoi Superjet 100 u rrëzua më 12 korrik në Rusi, gjatë fluturimit nga Aeroporti Tretyakovo në Aeroportin Vnukovo, dhe tre anëtarë të ekuipazhit vdiqën.
Shkak i mundshëm i aksidentit mendohet të jetë dështimi i disa sensorëve të instaluar gjatë mirëmbajtjes.
Përplasja e fundit e avionit ka ndodhur mëngjesin e sotëm. Një aeroplan pasagjerësh i Azerbajxhanit (AZAL) u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan.