Të paktën 11 palestinezë të tjerë janë vrarë në një sulm ajror izraelit në Qytetin Gaza, derisa sulmet vdekjeprurëse të Tel Avivit ndaj Rripit të Gazës vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë, raporton Anadolu.
Dëshmitarët thanë se avionët luftarakë izraelitë goditën një banesë në lagjen Shejaiya në pjesën lindore të Qytetit Gaza. Një burim mjekësor tha se 11 persona u vranë dhe 35 të tjerë u plagosën në sulmin izraelit.
Burimi gjithashtu tha se numri i të vdekurve pritet të rritet pasi shumë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.
Më 18 mars, Izraeli rifilloi një fushatë të papritur të sulmeve ajrore në Gaza dhe që atëherë ka vrarë të paktën 1.482 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 2 mijë të tjerë, duke shkelur armëpushimin e muajit janar dhe marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit.
Që nga tetori i vitit 2023, gjenocidi i vazhdueshëm izraelit ka marrë jetën e të paktën 50.800 palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzit. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.