Të pagjeturit neglizhohen nga Qeveria

Rreth 1600 qytetarë të Kosovës figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit (1998-1999). Familjarët e të pagjeturve këmbëngulin që në këtë raund bisedimesh në Bruksel të bisedohet me Serbinë për të zhdukurit. Sipas familjarëve, nuk ka pajtim ndëretnik derisa nuk zbardhet fati i të pagjeturve, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Familjarët e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë (1998-99) kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që fati i të afërmeve të tyre të pagjetur të jetë temë e bisedimeve në Bruksel. Mirëpo, deri më tani në tryezën e bisedimeve ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe nuk është diskutuar për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ndonëse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se në Bruksel do të diskutojnë edhe për të pagjeturit, sërish kjo çështje ka mbetur jashtë agjendës.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për të Pagjetur, figurojnë edhe 1660 persona të zhdukur nga lufta, shkruan Gazeta “Zëri”.

Para nisjes në Bruksel, kryeministri Mustafa ka thënë se në mesin e disa çështjeve do të adresojnë edhe çështjen e të pagjeturve në mënyrë që të zgjidhet shpejt.

“Të adresohen çështjet që duhen të dialogohen, nivelet për të cilat do të dialogohen këto çështje dhe ta përmbyllim këtë proces”, ka thënë Mustafa.

Por, në takimin e së martës është folur për uljen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve, duke u anashkaluar sërish çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, ka thënë për gazetën “Zëri”, se kryeministri ka përmendur se të pagjeturit do të jenë në agjendë.

“Megjithëkëtë ne do ta dorëzojmë si kërkesë tonën që të futet në agjendë të bisedimeve edhe çështja e të pagjeturve. Ende si temë nuk është futur në agjendë të bisedimeve”, tha ai