Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës në Kosovë ka përsëritur kërkesën për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kërkesë kjo që deri tani ka hasur në “vesh të shurdhër” sipas përfaqësuesve të opozitës dhe njohësve të kësaj çështjeje. Por Qeveria këtë herë premton se do të merret seriozisht kërkesa e Biden-it. Ky fenomen po e shkatërron perspektivën evropiane të vendit
Kërkesat e vazhdueshme të zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Bashkimit Evropian (BE) për luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit po hasin në “vesh të shurdhër”. Kështu kanë vlerësuar përfaqësues të opozitës dhe njohës të kësaj problematike, të cilët kanë thënë se pushtetarët në Kosovë nuk i kanë marrë asnjëherë seriozisht kërkesat ndërkombëtare për këtë çështje.
Ndërsa përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë thënë se korrupsioni në Kosovë nuk është vetëm perceptim, ashtu siç ka deklaruar kryeministri Isa Mustafa kohë më parë. Përveç tjerash theksohet fakti që luftimi i korrupsionit është kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën.