Të mbrojtur në heshtje

Gjykata Speciale ka shkaktuar “tërmet” politik në Kosovë me ftesat e fundit që i ka dërguar në drejtim të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit javën që shkoi pikërisht për shkak të ftesës që mori nga kjo Gjykatë. Pos tij, gjatë shtatë muajve të fundit për intervistim janë ftuar edhe dhjetëra ish-eprorë të tjerë të UÇK-së, shkruan gazeta “Zëri”.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka folur sërish dje për intervistimin që ka pasur në Hagë, pas ftesës që ka marrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Haradinaj me këtë rast ka thënë se atje është mbrojtur në heshtje, duke mos u përgjigjur në pyetjet e parashtruara. “Dje jam kthyer, pardje kam qenë në Hagë, kam kryer intervistën, intervista ka qenë procedurë ligjore. Pra marrje në pyetje, nuk kam pasur ndonjë temë të caktuar për të cilën më është propozuar për të diskutuar. Këshilla ligjore e mbrojtësit tim ligjor ka qenë që të paraqes pozicionin në heshtje”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë njoftoi se nuk i është bërë me dije nëse do të vazhdojnë ose jo hetimet ndaj tij.