Të lutesh për të vdekurit gjatë Ramazanit

O vëlla agjërues, kujto ata të dashur që dikur ishin me ne në Ramazanet e mëparshme – prindërit dhe nënat, vëllezërit dhe motrat, bijtë dhe bijat, miqtë dhe të afërmit – ata që mbushnin hapësirat dhe kohën tonë, ndjenjat dhe zemrat tona. Por Allahu caktoi për ta fundin e jetës së kësaj bote, dhe ata na lanë, duke u larguar si ëndrra, duke lënë pas shumë kujtime të bukura, të cilat ende na mbushin me mallin për ta dhe me trishtim sa herë që i kujtojmë.

Allahu i mëshiroftë ata që gëzoheshin me ne në ditët dhe netët e Ramazanit! Allahu i faltë ata që na e zbukuronin kohën me praninë e tyre! Allahu i faltë, sepse veprat e tyre tashmë janë ndërprerë dhe nuk u ka mbetur asgjë tjetër përveç mëshirës së Allahut dhe lutjeve të mira që mund t’u bëjmë ne.

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur njeriu vdes, veprat e tij ndërpriten, përveç tre gjërave: një lëmoshë e vazhdueshme, një dije nga e cila përfitohet, ose një fëmijë i devotshëm që lutet për të.” Prandaj, mos i harro ata në lutjet e tua dhe ndaj për ta një pjesë nga duatë e tua!

Përktheu: Elton Harxhi