Të lësh gjurmë të mira në jetë është kapitali dhe trashëgimia më e mirë…

Të lësh gjurmë të mira në jetë është kapitali dhe trashëgimia më e mirë që do ngelet nga kjo botë dhe shpresa më e mirë për të fituar botën tjetër

Ditët kalojnë me të mirat dhe të hidhurat, ne do te largohemi, gjurmët e veprat tona do të mbetën dhe do na gjykojë Zoti i Plotfuqishëm për gjithçka që kemi bërë në jetën tonë. “Dhe të gjithë do të vijnë ditën e gjykimit individualisht”[1]

“O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë Allahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni!”[2]

Siç kaloi Ramazani do të kalojë edhe jeta jonë prandaj duhet ta shfytëzojmë atë në vepra të mira. Ne duhet ta adhurojmë Zotin në vazhdimësi ashtu siç mirësitë e Zotit ndaj nesh janë të vazhdueshme.

Kushdo që e lidh të ardhmen e tij me botën tjetër do të jetë vigjilent çdo ditë për t’u përgatitur dhe duke qenë i qëndrueshëm në fe. Jeta në fakt është e shkurtër një histori e shkurtër; vijmë nga dheu jetojmë mbi dhe dhe kthehemi në dhe për t’u ringjallur përsëri e pastaj për të dhënë llogari. E çfarë kuptimi ka e gjitha kjo? Gjurmët tuaja do të mbetën dhe e ardhmja jote lidhet me gjurmët tuaja që ke lënë dhe do ti gjesh.

Ditët e tua të ardhshme do të jenë si të korrat e Jusufit (a.s) pas mundimit të tij dhe pushimit të Ejubit (a.s) pas durimit të tij.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

“E ti (Muhammed) paraqitju atyre shembullin e kësaj bote që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet saqë përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për çdo send.

Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.

(Përkujto) Ditën kur Ne i shkulim kodrat, dhe tokën e sheh të sheshtë (të zbuluar) dhe Ne i tubojmë ata e nuk na mbetet asnjë prej tyre pa e tubuar.

Dhe ato do të prezentohen para Zotit tënd të rreshtuar (e u thuhet atyre): “Na erdhët ashtu, si ju krijuam juve herën e parë, por ju patët menduar se Ne nuk kemi caktuar për ju ringjallje”.

Dhe vihet libri (i veprave), e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?”, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme – prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejt askujt.

(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: “Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet”. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?” Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve!”[3]

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”[4]

Është e çuditshme ajo që ndodh në mesin e disa muslimanëve; ata kanë vullnet për të agjëruar dhe nuk po vendosin për t’u falur edhe nëse janë falur në Ramazan, e pas tij e ndërpresin faljen e namazit?!

Nuk ka dyshim se namazi është më i madh në peshoren e fesë se sa agjërimi. Është më mirë të themi Allahu të shpërbleftë për agjërimin dhe ti duhet të plotësosh dhe vazhdosh islamin tënd me atë që është më madhështor se agjërimi, që është namazi ashtu siç sakrifikove duke agjëruar vazhdo e përulu para Zotit duke u falur deri në përfundim të jetës për hir të Allahut duke e mbajtur lidhjen me Zotin tend, sepse ne kemi nevojë për Allahun. Bateria e telefonit ka nevojë të karikohet, ashtu siç ka nevojë makina për karburant apo trupi jonë për ushqim edhe shpirti jonë ka nevojë për energji që e merr duke u përulur para Krijuesit në vazhdimësi. Ramazani na ka mbushur me energji por ne kemi nevojë për burim energjie të vazhdueshme.

Mësimet e Ramazanit ishin që ne të afrohemi te Zoti me bindje dhe përkushtim dhe të mos mbetemi thjesht pre e sezoneve. Në jetën e përditshme nuk mjafton të punosh vetëm kur është sezon, por duhet të punosh në vazhdimësi. Udhëtim i shpirtit vazhdon edhe pas Ramazanit, do ketë nevojë të ushqehet që të jetë një jetë me shpirt të lidhur tek Krijuesi i Tij. Pranadaj disa prej të parëve tanë të devotshëm kanë thënë: “Mjerë për ata njerëz që e njohin Zotin vetëm në Ramazan.Të jesh adhurues i Zotit dhe jo i Ramazanit.”

Adhurimi i Zotit është qëllimi i krijimit dhe adhurimet kërkojnë durim “Durimi është dritë si drita në errësirë”[5]

Fjala e parë që u thuhet nga engjëjt atyre që hyjnë në Xhenet është: “Mirësevini se ju ishit prej durimtarëve”. Lodhja e të gjitha veprave u harrua e u larguar, e ajo që ngelet janë gjurmët që ke lënë për t’u shpërblyer nga më i miri Shpërblyes, Allahu i Madhërishëm.

Autor: Muhamet Selmani

[1] – Sure Merjem: 95.

[2] – Sure Hashr: 18.

[3] – Sure Kehf: 45 – 50.

[4] – Sure Nahl: 97.

[5] – Hadith profetik.