Të kuptosh urtësinë e ligjeve sheriatike

Urtësia e Zotit në ligjin e Tij sheriatik është e ngjashme me urtësinë e Tij në krijim. Ashtu siç Allahu i Madhëruar ka shenja në krijimin e Tij, po ashtu ka shenja edhe në ligjet e Tij. Ai ka thënë: “Vetëm Atij i përket krijimi dhe urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve.”[1]

Meditimi dhe reflektimi rreth sekreteve të sheriatit dhe objektivave të tij është njëlloj si reflektimi rreth sekreteve të natyrës dhe shenjave të saj. Reflektimi rreth sekreteve të sheriatit dhe natyrës na shtojnë njohurinë për Zotin dhe cilësitë e Tij, na japin më shumë siguri rreth urtësisë së Tij dhe na shpien drejt besimit me bindje të plotë. Kjo është rruga që ndoqi Profeti Ibrahim (a.s), i cili tha: “O Zoti im, më trego si i ringjall të vdekurit.” Ai tha: ‘A nuk beson?’ Tha: ‘Po, por që zemra ime të qetësohet.”[2]

Le të jemi në fenë dhe rrugën e Ibrahimit (a.s). Allahu ka thënë për të: “Kështu ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës, që të ishte nga ata që kanë bindje të plotë.”[3]Pastaj i Lartësuari thotë:“Dhe ky është argumenti Ynë që ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne i ngrisim në shkallë të larta ata që dëshirojmë. Vërtet, Zoti yt është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.”[4]

Profeti Ibrahim (a.s), njihej për reflektimet e tij rreth mbretërisë së Zotit, shenjave të Tij kozmologjike, si dhe për përpjekjet e tij për të depërtuar përtej dukurive sipërfaqësore. Për këtë arsye, shkalla e tij e reflektimit ishte më e lartë dhe argumentet e tij më të forta. Po kështu, është edhe çështja e atij njeriu që reflekton rreth urdhrave dhe ligjeve të sheriatit, derisa të arrijë të kuptojë urtësinë dhe objektivat e tij.

Historia e Musait (a.s) dhe Hidrit (a.s), e përshkruar në detaje në suren Kehf, na mëson se pjekuria dhe përkryerja në fe arrihen duke kuptuar objektivat dhe sekretet e ligjeve hyjnorë. Në këtë aspekt, Hidri (a.s) ishte më i ditur dhe më i aftë se Musai (a.s). Musai (a.s) ishte më i ditur në aspektin e dispozitave ligjore, ndërsa Hidri (a.s) ishte më i ditur rreth urtësive. Për këtë arsye, Musai (a.s) kërkoi prej Hidrit (a.s) që të mësonte prej tij rreth urtësive dhe objektivave. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kështu ata u kthyen pas gjurmëve të tyre derisa gjetën një nga robërit Tanë, të cilit i dhamë mëshirë nga ana Jonë dhe e mësuam nga Dija Jonë. Musai i tha: A mund të të ndjek që të më mësosh diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë?”[5] Në këtë kontekst, dituria e drejtë nënkupton njohjen e qëllimeve, objektivave dhe urtësive, siç duket qartë në mësimet praktike që Hidri (a.s) i dha Musait (a.s).

Përfundimisht, njohja e objektivave të sheriatit, reflektimi rreth tyre dhe përvetësimi i thelbit të tyre, ofron një nivel më të lartë të besimit në Allahun dhe urtësinë e Tij, si dhe një nivel më të thellë të kuptimit të fesë së Tij. Ashtu siç ka thënë dijetari eminent, El-Menaui: “Kuptimi i fesë është si shembulli i një ushtrie madhështore, përmes të cilës Allahu përkrah ata që kanë besim me bindje të plotë. Të tillë njerëz kanë parë bukurinë dhe shëmtinë e gjërave dhe si rrjedhojë kanë bërë dallimin midis tyre, me dritën e besimit që i shoqëron kanë kuptuar se Allahu ka caktuar për ta vetëm atë që është e mirë dhe kështu ata e adhurojnë Atë me vizion, qetësi dhe siguri.”[6]

Autor: Ahmed Rejsuni

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure A’raf: 54.

[2] – Sure Bekare: 260.

[3] – Sure En’am: 75.

[4] – Sure En’am: 83.

[5] – Sure Kehf: 64 – 66.

[6] – “Fajdul Kadir, Sher’h El Xhamius Sagir” fq: 2/511.