Ballina Artikuj Të jeshë hoxhë

Të jeshë hoxhë

Hoxhë Justinian Topulli

Të jesh lider i njerëzve nuk është diçka e lehtë dhe e mundshme për shumicën e njerëzve, dhe kjo vlen në çdo fushë të jetës, mes tyre edhe të qenit lider shpirtëror apo udhëheqës fetar. Jo më kot, i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Njerëzit i ngjajnë një grigje me njëqind deve, në të, gati nuk gjen edhe një që të vlejë si bartëse udhëtimi.” (Buhariu, 6498) Pra, më pak se një përqind e njerëzve janë të aftë të jenë liderë. Kjo do të thotë se ka aftësi, të cilat janë të lindura apo të trashëguara dhe se njerëzit, përtej faktit se duhet të trajtohen të barabartë, si njerëz që janë, ata nuk janë të njëjtë në aftësitë dhe përpjekjet e tyre, ndaj dhe nuk mund të vlerësohen njëlloj në këtë drejtim.
Edhe pse Islami nuk e miraton ndarjen e njerëzve në kasta sociale që trashëgohen, si dhe mohon çdo lloj racizmi, ai e pranon faktin se njerëzit dallojnë mes tyre si individë, siç dallon ari me metalet e tjera. Profeti i Zotit (alejhi salatu ue selam) për këtë ka thënë: “Njerëzit janë si metalet, si ari dhe argjendi, më të zgjedhurit e tyre në xhahilijet janë më të zgjedhurit edhe në Islam, nëse e kuptojnë fenë (fekihu).” (Muslimi, 2638) Nuk duam të zgjatemi në komentin e këtyre haditheve, sepse kemi shkruar më parë për këtë gjë.
Ndërkohë, këtu duam të trajtojmë një nga realitetet shpesh të injoruara, se nga burojnë disa nga problemet, për të cilat hoxhallarët kritikohen, me të drejtë ose jo.
Në shoqëritë e dikurshme tradicionale, feja ishte boshti ku vërtitej jeta botëkuptimore intelektuale dhe kulturore, ndaj dhe njerëzit më të ditur ishin pikërisht predikuesit e fesë, qofshin këta hoxhallarë apo priftërinj. Ata ishin njerëzit më të ditur të kohës edhe në fusha të tjera të dijes dhe të shkencës, madje -për aq sa ajo njihej në atë kohë- përtej imazhit të pasaktë që është përhapur në kohën moderne, se klerikët ishin vetëm injorantët dhe ata që përhapnin padijen me përrallat e tyre fetare. Dikur, edhe ata intelektualë apo shkencëtarë që nuk ishin klerikë të mirëfilltë, e njihnin mjaft mirë fenë dhe teologjinë e saj, e ajo zinte një rol të rëndësishëm në formimin e tyre intelektual. Duke qenë se feja zinte rolin më të rëndësishëm në shoqëri dikur, është e vetëkuptueshme që edhe klerikët të ishin ndër njerëzit më të rëndësishëm dhe më me autoritet intelektual në atë kohë. Kështu që të ishe klerik dikur, ishte edhe privilegj, ndaj dhe ata që rendën të bëheshin të tillë, ishin kryesisht ajka e njerëzve, më inteligjentët dhe sigurisht edhe ata që kishin më shumë mundësi të arsimoheshin në këtë drejtim.
Natyrisht që çdo rregull ka përjashtimin e tij, dhe mediokër ka pasur gjithmonë, por këtu po flasim për trendin e shoqërisë dikur dhe dallimin me realitetin e trendit të sotëm, ku të jesh hoxhë, nuk është më tërheqëse për shumicën e elitës së njerëzve.
Ndryshimet që shkaktoi përmbysja konceptuale dhe kulturore në epokën moderne e ndryshoi të gjithë këtë panoramë, dhe duke qenë se feja e humbi rolin e saj primar në shoqëri, është e kuptueshme që edhe njerëzit që e predikonin apo flisnin në emër të saj, të mos joshnin më si dikur ajkën e njerëzve. Tashmë, vëmendja e tyre ishte zhvendosur tek dijet dhe profesionet që jo vetëm paguheshin më mirë sesa ai i klerikut, por kishin edhe vëmendjen më të madhe dhe reputacionin më të lartë në shoqëri. Dhe ashtu si feja përhapej fillimisht në qendrat urbane dhe shtrihej më pas në periferitë e tyre e më tej, kështu edhe idetë e botës moderne dhe ideologjitë e saj u shtrinë dhe u përhapën në mesin e njerëzve.
Ndaj është e kuptueshme që periferitë dhe zonat rurale do të ishin relativisht më gjatë konservatore sesa qendrat urbane, dhe është më se e kuptueshme se pse roli i klerikëve tashmë do t’iu ngelej atyre njerëzve, që kishin ruajtur më të fortë traditën e tyre fetare, si në zonat urbane ashtu edhe ato rurale.
Feja tashmë nuk përbënte më një motiv joshës për më inteligjentët dhe ambiciozët, për t’iu përkushtuar dijes dhe predikimit të saj. Kështu që edhe niveli arsimor dhe intelektual i klerikëve të rinj, që vinte duke u reduktuar, do të binte bashkë me interesin për vetë fenë tek njerëzit. Në anën tjetër, rënia e këtij niveli do të shkaktonte edhe më tej pakënaqësinë ndaj fesë, duke e lidhur për pasojë atë me nivelin e predikuesve të saj, edhe pse kjo rënie e nivelit, qe pasojë e këtij ndryshimi të madh shoqëror dhe jo shkaku kryesor i saj.
Pa pasur në mendje këtë ide të qartë të asaj që ka ndodhur, nuk mund të kuptojmë kurrë qartë gjendjen e sotme të ligjërimit fetar dhe nivelit të tij dhe lidhjes që ajo ka pazgjidhshmërisht me ata që e predikojnë fenë.
Shumë hoxhallarë, para se të merrnin rolin që kanë sot, me shumë gjasa nuk kanë qenë të vetëdijshëm për sfidat e mëdha dhe të vështira, me të cilat do të përballeshin, e ndoshta as sot nuk janë të vetëdijshëm për to. Dhe kjo, vërtet është një problem i madh, përtej çdo justifikimi. Por, përtej pyetjes se çfarë i shtyu ata të bëhen hoxhallarë, edhe pse nuk qenë, apo nuk janë të gjendje ta përmbushin si duhet misionin e tyre, na duhet të bëjmë gjithashtu edhe pyetjen, se përse ata që e ndjejnë këtë përgjegjësi më shumë dhe i kuptojnë më mirë këto sfida, nuk zgjodhën të bëheshin të tillë? Pra, përse ata që e ndjenin dhe dinin me siguri që i përkasin pikërisht asaj ajke të njerëzve që folëm më sipër, nuk u bënë hoxhallarë?
Përgjigjja nga ajo që thamë më sipër besojmë se është e qartë. As për ta dhe as për familjet e tyre, të qenit hoxhë nuk përbënte ndonjë joshje sociale apo ekonomike, për të mos thënë më shumë se kaq. Duke mos harruar këtu faktin se çfarë imazhi të errët nguliti në mendje regjimi modern komunist për klerikët në vendin tonë. Ndërkohë, në kohën kur edhe një herë u rishfaq nevoja për hoxhallarë, ata që u arsimuan të parët dhe më të shumtët në këtë drejtim, qenë pikërisht ata, që për vetë ata apo për familjet e tyre, roli i klerikut nuk përbënte një pozitë të dorës së dytë apo të tretë, siç konsiderohet rëndom të jesh klerik në botën moderne.
Sigurisht, kritikat, vërejtjet dhe sugjerimet janë dhe duhet të jenë pjesë e një kulture të shëndoshë të muslimanëve, dhe nuk ka arsye të ndalen asnjëherë, por ne besojmë se problemi më i madh në mangësitë e hoxhallarëve, nuk është t’i kërkojmë atyre atë që nuk mund ta bëjnë dot, që është përtej aftësive apo mundësive të tyre, por ata që munden dhe e ndjejnë veten se mund të japin më shumë se hoxhallarët, duhet të bëhen vetë hoxhallarë dhe të udhëheqin njerëzit për tek më e mira me mënyrën më të mirë të mundshme, të cilën ata besojnë se mund ta gjejnë dhe njohin.
Përderisa disa njerëz e ndjejnë se i kuptojnë disa gjëra më mirë dhe e ndjejnë veten në atë nivel për të tërhequr vërejtjen dhe dhënë sugjerime, është më se normale ta marrin këtë rol, duke dhënë kështu modelin e tyre sesi duhet të jetë një hoxhë i mirë, ashtu si ata e mendojnë. Në vend që të kritikojnë shumë prej hoxhallarëve dhe të kërkojnë prej tyre atë që ata nuk mund të jenë, pse të mos bëhen vetë hoxhallarë, duke e përmbushur vetë këtë nevojë?
E kemi bërë vazhdimisht këtë kërkesë, pa ndonjë ironi ose dashakeqësi ndaj atyre që e ndjejnë veten në nivel më të lartë sesa ata që kritikojnë dhe gjithmonë kemi marrë përgjigje që nuk prekin kurrë me sinqeritet dhe vërtetësi thelbin e realitetit që cekëm më sipër. Të jesh hoxhë, për shumicën e ajkës së njerëzve nuk të josh, si nga ana financiare, si nga mentaliteti modern, për pozitën që ai zë në shoqëritë e sotme shekullare, ku vlerësohet më shumë juristi, inxhinieri, mjeku, ekonomisti, gazetari dhe artisti, sesa hoxha apo prifti. Mos harrojmë këtu edhe paragjykimet dhe imazhin shpesh negativ, me të cilin kleriku sulmohet më tepër. Kështu që është e pritshme që rolin e hoxhës ta marrin më së shumti ata që duan dhe përpiqen të bëhen të tillë, ndërkohë që përtej vështirësive, kjo derë qëndron e hapur për të gjithë. Defektet dhe mangësitë kurohen më së miri përmes alternativës dhe jo vetëm përmes kritikës. Dhe alternativa duhet të përmbushë të njëjtat sfida dhe detyra që shumë prej atyre që duan të jenë zë alternativ brenda bashkësisë, nuk janë të gatshëm t’i marrin përsipër, as vetë dhe as fëmijët e tyre.

Hoxhë Justinian Topulli

Exit mobile version