Të jesh musliman do të thotë të depërtosh përtej membranës së dyshimeve dhe të kalosh në rrafshin e arsyes, të kuptuarit dhe të besuarit në mënyrë të kulluar. Islami është besim i cili fundë e kokë është i ngërthyer me intelektualitetin. Dmth, të jesh musliman do të thotë të jesh intelektual i vërtetë. Këtë e argumenton edhe premisa Kuranore, ku Allahu herë pas here në forma të ndryshme e paraqet të kuptuarit, të menduarit! Intelektual nuk është ai që e ka mbaruar një cikël shkollor, e që ndoshta ka sjellje, fjalor të ulët dhe antagonist, por dhe nuk arrinë të kuptojë rolin e tij dhe arsyen e ekzistencës së tij në këtë botë. Pra, muslimani është aq i ngritur dhe intelektual, sa që ka kuptuar dhe ka arritë të besojë ekzistencën e Allahut, me të gjitha atributet e Tij. Imagjinoni sa shkollim dhe studim nevojitet për të arritur në këtë stad të vetëdijes dhe të dijes?! Në anën tjetër besimi në Allahun është pika zero e intelektualitetit të dikujt (muslimanit). Prej pikës zero fillon ngritja e njeriut musliman duke studiuar e mësuar nga dituritë e Allahut fuqiplotë, i Cili kujt të dojë ia mundëson e kujt të dojë nuk ia mundëson. Dituri e vërtetë është të njihet vërtetësia e Zotit (Allahut), si rezultat i asaj diturie dhe të ndjeket rruga e shtruar e Allahut enkas për njerëzit- Islami. Prandaj muslimanët nuk kanë komplekse me ajetet kuranore, me ligjet dhe normat islame, me sistemin islam në përgjithësi, sepse tek muslimanët, Allahu nuk besohet vetëm me kokë por me zemër. Dituritë e zemrës janë më të avansuara se të kokës, Prandaj të jesh musliman do të thotë të jesh vërtetë intelektual.
Bajram Ramadani