Ballina Artikuj Të jesh musliman (….) – 11 –

Të jesh musliman (….) – 11 –

Bajram Ramadani Asipi

Të jesh musliman, do të thotë të jesh patriot, madje muslimani është më patriot se kushdo tjetër.
Muslimanët gjakun e tyre, familjet e tyre, atdheun e tyre e konsiderojnë të shenjtë. Si askush tjetër muslimanët janë të gatshëm të japin edhe jetën për këto vlera të shenjta. Kjo është e vërtetuar edhe historikisht, për faktin se të jesh musliman do të thotë të jesh i gatshëm për çdo moment të luftosh dhe të sakrifikosh edhe jetën për atdheun, për pragun e shtëpisë dhe për familjen. Madje lufta për këto vlera është e shenjtë kurse dhënia e jetës është dëshmi, dmth, kush vdes për këto vlera në emër të Allahut, ai musliman konsiderohet dëshmor (shehid), kurse muslimanët e dinë se çfarë shpërblimi e pret shehidin në ditën e gjykimit.

Të jesh musliman do të thotë të jesh kosmopolit. Të vetmit muslimanët nga të gjitha komunitetet fetare apo nacionale, janë kosmopolit. Muslimanët në kulturën e tyre e cila buron nga mësimet kuranore dhe porositë e Muhamedit a.s. nuk kanë asnjë lloj fobie, çfarëdo qoftë ajo. Muslimanët nuk urrejnë askënd në asnjë bazë.

Të jesh musliman, do të thotë të mësosh rreth fesë së Allahut dhe ta transmetosh dijen e fituar, tek të tjerët. Bartja e mesazhit të Allahut tek të tjerët njëherit është edhe dëshirë por në njëfarë mënyre edhe obligim. Kështu që çdo mendim që muslimanët janë tendencioz ndaj të tjerëve, dhe se ata kanë pretendime territoriale, është shumë gabim. Muslimanët e konsiderojnë tërë globin pronë e Allahut dhe ata duan që fjala e Allahut të shtrihet në tërë globin.

Kjo në fakt është mirësi, nga ana e muslimanëve në raport me të tjerët, por natyrisht që jo gjithmonë kuptohet ashtu nga të tjerët.
Kjo është panorama e një muslimani në hapësirë dhe kohë.
Të jesh musliman, është mirësi, pavarësisht si mendojnë të tjerët që s’janë musliman. (….) !
Bajram Ramadani

Exit mobile version