Për Komunën e Suharekës sot IKSHPK ka njoftuar tri raste të vdekjeve që kanë rezultuar edhe me coronavirus.
Kryetari Bali Muharremaj për RTV Dukagjinin thotë se këto të dhëna janë të tri ditëve të fundit.
I pari i Suharekës thotë se gjendja në këtë komunë është stabile por sipas tij është një veprim shqetësues që sipas tij disa qytetarë pavarësisht që kanë dalë pozitiv me coronavirus, po dalin në qytet.
“Njoftoj qytetarët se nga nesër policia do të dalë në terren dhe do shkojë nëpër shtëpitë e personave të prekur pasi që ka njoftime se disa persona pavarësisht se janë të prekur me coronavirus po dalin jashtë shtëpive duke rrezikuar edhe qytetarët tjerë”, tha ai.
Muharremaj thotë se me një shumë prej rreth 300 mijë eurosh janë ndihmuar bizneset, kryesisht në qira.
Ai tregon se momentalisht në këtë komunë janë të prekur rreth 15 mësimdhënës me coronavirus por që sipas tij ata do të zëvendësohen dhe mësimi nuk do të ndërprehet.
“Për dy apo tri ditë ata zëvendësohen. Ne kemi një listë të pritjes dhe mësimi po vazhdon”, tha ndër të tjera Bali Muharremaj.