Ti mund të duash të lësh cigaren, të nisësh palestrën, të mos hash më patatina dhe ta gatuash vetë drekën. Ti nuk po bën asnjë nga këto gjëra, sepse është shumë e vështirë. E di, është, por katër qëndrimet për të cilat do të flasim më poshtë, e bëjnë shumë herë më të lehtë krijimin e rutinave të reja dhe heqjen e atyre të vjetrave.
Ki parasysh se ndryshimet nuk ndodhin ashtu si do ti, dhe as brenda ditës
E zëmë se abonohesh në palestër, u ushtrove një ditë dhe të nesërmen prite të zgjoheshe me një trup të mrekullueshëm. Bota nuk funksionon ashtu dhe as veset. Ndryshimi nuk është linear dhe as do të shkojë vaj.
Rrugëtimi yt drejt një njeriu më të mirë do të marrë kthesa, do të ngjisë të përpjeta, do të frenojë prag humnerës e do të bëjë gjithë ç’nuk ju merr mendja. Do të bësh përpara vetëm nëse je i përkushtuar dhe përpiqesh përditë.
Teksa vazhdon ditën tëndë, shëno gjëkundi gjithë gjërat që shkuan mirë atë ditë në lidhje me qëllimin tënd. Kur të gjendesh në vështirësi, mund t’i rikthehesh e të shohësh që po bën progres.
Kije mendjen tek procesi, jo tek rezultati
Dikush që do të humbasë peshë e ka mendjen tek trupi ideal dhe jo tek rruga për të arritur atje. Dikush që do të ecë përpara në karrierë e ka mendjen tek pozicioni i ëndrrave, jo tek puna që duhet të bëjë ndërkohë. Këto mendësi janë vdekjeprurëse.
Vizualizimi i të ardhmes është shumë i rëndësishëm, por s’është gjithçka. Nga personi që je tani dhe tek personi që do të jesh ekziston një oqean i tërë, i cili kalohet me veprime, me fitore të vogla.
Gjithashtu ide e mirë është të fokusohesh tek qëllimet afatshkurtra, sepse ato të çojnë të sigurt drejt qëllimit përfundimtar.
‘O të gjitha, o asgjë’ është një fjali që duhet shmangur sa të jetë e mundur
Qëllimet tua nuk janë të shkruara në gur dhe shmangiet minimale nga ç’duhet bërë nuk janë fundi i botës. Përshembull, nëse ke qëllim të gatuash vetë ç’do drekë dhe një herë u doëzove, e porosite diku, s’është nevoja të qortosh veten.
Ndodhin gjëra të mira, ndodhin dhe gjëra të këqija. E rëndësishme është të kuptosh efektin në total. Mjafton që gjërat e mira të mbysin ato të këqijat.
Mos u ndiko nga emocionet
Jemi njerëz, jo robotë, dhe është e natyrshme të përjetojmë emocione. Por, t’i lësh emocionet të veprojnë si vendimmarrës në jetën tënde është një ide e keqe, që s’do të korrë kurrë rezultate të kënaqshme.
Me raste, mund të mos e keni me qejf të hani shëndetshëm, apo të ushtroheni, apo ta privoni veten. Qëllimi nuk është të ndihesh në qejf. Qëllimi është rritesh si person, të përmirësosh veten.
Vendimet merren me logjikë. Emocionet lëri për kur të kesh kohë të lirë.