Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Të hënën bëhet hapja historike e Aeroportit të Ri të Stambollit

Të hënën bëhet hapja historike e Aeroportit të Ri të Stambollit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të hënën me pjesëmarrje të mysafirëve nga katër anët e botës do të bëjë hapjen e Aeroportit të Ri të Stambollit, i cili, pas përfundimit të plotë, do të jetë aeroporti më i madh në botë.

Hapja e fazës së parë të aeroportit do të bëhet më 29 tetor, Ditën e Republikës në Turqi, që paraqet ditën kur Turqia u shpall republikë në vitin 1923.

Sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu Agency (AA), në ceremoninë e hapjes do të marrin mysafirë të shumtë të huaj, në mesin e të cilëve gjenden edhe krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe ministra të transportit. Deri më tani, siç njoftohet, mbi 50 zyrtarë të lartë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që ceremonia do të ndiqet në mbarë botën.

Ceremonia e hapjes së fazës së parë, gjatë së cilës do të shërbehen 90 milionë pasagjerë në vit, do të fillojë në orën 16:00 sipas kohës lokale, me një koncert të Orkestrës Simfonike të Presidencës së Turqisë.

Aeroporti është ndërtuar në një hapësirë prej 76.5 milionë metra katrorë, ndërsa për hapjen e fazës së parë janë investuar gjashtë miliardë euro.

Ndërkaq, faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023. Për ndërtimin e aeroportit, i cili do të jetë më i madhi në botë, janë angazhuar rreth dhjetë mijë njerëz.

Pas përfundimit të punëve, aeroporti do të përbëhet nga gjashtë pista të ndara me një kapacitet për 500 avionë, parking të hapur dhe të mbyllur me kapacitet për 70 mijë automjete dhe në vit do të shërbejë rreth 200 milionë pasagjerë.

Fluturimi i parë më 31 tetor drejt Ankarasë

Fluturimi i parë nga aeroporti që do të funksionalizohet pas fjalimeve hapëse, do të realizohet në drejtim të Ankarasë më 31 tetor, me avionin e tipit Boeing 777 të aviokompanisë turke Turkish Airlines.

Pas përfundimit të zhvendosjeve të duhura deri në fund të vitit, pritet që në aeroport në ditë të aterojnë dhe ngriten 2.000 avionë, nga më shumë se 350 destinacione, ndërsa shërbimet e tyre do t’i ofrojnë 250 kompani ajrore.

Exit mobile version