Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) përmes një konference për media paralajmëroi fillimin e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i ESHS-së, Apostoll Simovski në deklaratën e tij tha se nesër fillon operacioni më i madh dhe i shumëpritur statistikor, duke theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet.
“Pas gati 20 vjetësh, pas vështirësive të mëdha, pengesave, prolongimeve, vonesave, më në fund jemi në prag të fillimit të punës në terren dhe mbledhjes së të dhënave. Të gjitha përgatitjet kanë përfunduar”, tha Simovski.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që me mirëbesim të presin regjistruesit, duke shtuar se regjistrimi është në interes të të gjithëve.
Duke theksuar rëndësinë e regjistrimit, zv/drejtori i ESHS-së, Ilmi Selami tha se asnjë qytetar nuk guxon të anashkalohet, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike apo fetare.
“Për ata që frikohen nga përhapja e sëmundjes, veçanërisht dua të theksoj se regjistruesit tanë maksimalisht do t’i respektojnë dhe zbatojnë masat mbrojtëse të parapara në protokollin për zbatimin e regjistrimit gjatë periudhës së COVID-19”, tha Selami.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që edhe ata të respektojnë masat mbrojtëse kundër koronavirusit, në mënyrë që të gjithë të ndjehen të sigurt gjatë regjistrimit.
Në konferencën për media të pranishëm ishin edhe ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq si dhe zv/ministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu.
Ministri Mariçiq tha se regjistrimi është operacion statistikor mbipartiak dhe shprehu kënaqësinë që të gjitha partitë më të mëdha politike kanë mbështetur regjistrimin.
Zv/ministri Nuhiu rikujtoi se vijon edhe regjistrimi i diasporës, duke bërë thirrje që të vet-regjistrohen në mënyrë elektronike të gjithë ata që janë jashtë vendit e nuk janë regjistruar deri më tani.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori i ESHS-së, Simovski tha se qytetarët mund të kërkojnë që regjistruesit të jenë të vaksinuar.
Gjithashtu, ai tha se Ministria e Shëndetësisë në bazë ditore do t’u japë informata se cilët persona janë në izolim apo janë pozitiv në COVID-19. Simovski tha se fillimisht do të presin që të kalojë kjo periudhë ndërsa nëse kjo nuk është e mundur, atëherë do të zbatojnë protokolle të veçanta.
Regjistrimi i popullsisë do të zgjasë deri më 30 shtator. Ai fillimisht duhej të mbahej në datat 1-21 prill, por u prolongua për shkak të situatës së rënduar me koronavirusin e ri (COVID-19).
Maqedonia e Veriut për herë të fundit ka mbajtur regjistrim në vitin 2002. Në vitin 2011 filloi të realizohet regjistrimi, por u ndërpre, pasi anëtarët e Komisionit të Regjistrimit dhanë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme. /aa