Njëri nga komandantët në terren të Brigadës “Sultan Murad” të Ushtrisë së Lirë Siriane, Mexhit Abdulmexhit deklaroi se janë duke përparuar në operacionin “Mburoja e Eufratit” drejt çlirimit të plotësishëm të Sirisë me mbështetjen e Forcave të Armatosura Turke, raporton Anadolu Agency (AA).
“Allahu na ka dhuruar çlirimin, ku kemi arritur të çlirojmë 92 kilometra. Është prishur një lojë e rëndësishme, sepse PKK/PYD planifikonin të formonin shtet këtu”, tha Abdulmexhit.
Operacioni “Mburoja e Eufratit” i ndërmarrë nga forcat speciale të Forcave të Armatosura Turke dhe forcat ajrore të koalicionit ende vazhdon kundër kërcënimeve terroriste nga rajoni Jarabulus të Sirisë në kufi me Turqinë. Ushtria e Lirë Siriane në njërën anë përgatitet për sulme të reja, ndërsa në anën tjetër ruan në shumë pika për të ofruar sigurinë e fshatrave të çliruara nga DAESH-i.
Abdulmexhit, një prej komandantëve të brigadës “Sultan Murad” të Ushtrisë së Lirë Siriane e cila lufton kundër organizatës terroriste DAESH mban në gatishmëri njësitë e saj në një fshat në Çobanbey. Ai në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se operacioni “Mburoja e Eufratit” i nisur me mbështetjen e Turqisë po vazhdon me sukses.
“Kemi hapur linjën Azez – Jarabulus. Kemi bashkuar fshatrat këtu. Sigurisht që kemi patur dëshmorë dhe të plagosur. Allahu na ka dhuruar çlirimin, ku kemi arritur të çlirojmë 92 kilometra. Është prishur një lojë e rëndësishme sepse PKK/PYD planifikonin të formonin shtet këtu. Me këtë operacion janë prishur këto plane. Nëse ne nuk do të kishim marrë Jarabulusin do ta merrte PKK-ja dhe do të mbërrinte deri në Afrin”, u shpreh në fjalën e tij Abdulmexhit.
Ai ka shtuar se ende fshatrat përballë ndodhen nën kontrollin e DAESH-it dhe se do të vazhdojnë operacionet për të çliruar ato fshatra.
Ndër të tjera ai vuri në dukje se “me lejen e Allahut njerëzit, të rinjtë tanë do të kthehen të gjithë në fshatrat e tyre”.
“Me lejen e Allahut do ta eliminojmë plotësisht DAESH-in dhe do të çlirojmë të gjithë Sirinë. Fillimisht do të përparojmë në El Bab dhe më pas në Munbixh. Pasi të marrim edhe këto rajone plani do të prishet plotësisht. Këtu nuk mund të formohet një shtet kurd. Pranë nesh ndodhet edhe Turqia, i jemi shumë mirënjohëse. Dëshiroj ti dërgoj mesazh PKK/PYD-së. Ejani kur të dëshironi, ne këtu jemi. Po ju presim këtu në trojet tona të cilët i mbrojmë me gjak. Ne nuk lëvizim në asnjë vend tjetër, këtu kemi atdheun dhe nuk mund t’ua lëshojmë ju. Të gjithë e duan atdheun e tyre. Në dashtë Allahu do ti bashkojmë të gjitha rajonet”, tha Abdulmexhit.
“Nuk e qëllojnë DAESH-in”
Ai pretendon se SHBA-të dhe Rusia nuk bëjnë asnjë gjë në terren sa herë që shprehen se “qëlluam DAESH-in”.
“SHBA-të, Rusia, Franca nuk bëjnë asgjë. Ato bëjnë vetëm fjalë. Meqë na qenkan kaq të sinqertë pse nuk na e dhanë ne mbështetjen në Kobani (Ajn el Arap)? Atje në dy ditë morën 72 fshatra. Ne kemi 2 vite e gjysëm që luftojmë dhe nuk kemi marrë as edhe 100 kilometra. Ku mbeti sinqeriteti? Si na qenka kjo punë? Të gjitha janë gënjeshtra”, thotë ai.
Më tej Abdulmexhit rikujtoi se njerëzit kanë filluar të kthehen në fshatrat e marra nën kontroll. Ai tha se si Ushtri e Lirë Siriane do të bëjnë të gjitha përpjekjet që familjet e vendosura aty të ndihen të qeta.