Të dyshuarve për terrorizëm u merren librat fetarë

Të dyshuarve dhe dënuarve për terrorizëm që janë në paraburgim dhe vuajtje të dënimeve në nëpër qendrat korrektuese të Kosovës u janë marrë përkohësisht librat e tyre fetarë.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka sekuestruar librat fetarë që i mbajnë të dënuarit dhe të dyshuarit për terrorizëm që po e vuajnë dënimin e shqiptuar, ose po mbahen të ndaluar nën masën e paraburgimit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë Orhan Hajrizi tha për kallxo.com se librat janë sekuestruar për të vlerësuar se a përmbajnë gjuhë të urrejtjes.

Hajrizi deklaroi se këtë vlerësim do ta bëjë Bashkësia Islame e Kosovës.

“Ne kemi urdhëruar që e gjithë literatura fetare të grumbullohet, evidentohet dhe të verifikohen nga ekspertet e Bashkësisë Islame të Kosovës në bazë të marrëveshjes,” tha Hajrizi.

Ai tregoi se librat fetarë u janë sekuestruar edhe të dënuarve ose të paraburgosurve të besimit katolik.

“Njëjtë kemi vepruar edhe me ato [LIbrat] të besimit katolik,” tha Hajrizi.

Sipas Hajrizit, sekuestrimi është bërë “në bazë të planit të veprimit si dhe obligimeve që dalin nga ‘Strategjia për Parandalimin e Ekstremizmit Fetar që Shpie në Terrorizëm”.

Hajrizi deklaroi se pas verifikimit librat që nuk përmbajnë nxitje apo urrejtje, apo që nuk ndikojnë në shpërndarjen e një ideologjie të rrezikshme do t’u kthehen personave që u janë sekuestruar.