Të gjithë njerëzit pothuajse duan dhe urrejnë dikë apo diçka. Ata duan të afërmit e të mirën dhe urrejnë armiqtë dhe të keqen, qoftë kjo edhe vetëm personale.
Po kështu, ata duan tek njerëzit e afërm cilësitë e mira dhe urrejnë cilësitë e tyre të këqija. Pra, kanë edhe dashuri edhe urrejtje njëkohësisht, ndjenja këto, të cilat bëhen bashkë për të njëjtin individ. Kjo është diçka normale, kur bëhet fjalë për një të afërm.
Ndërsa kur kemi të bëjmë me një të huaj, kjo gjë ndryshon. Njerëzit, përgjithësisht i urrejnë armiqtë e tyre bashkë me ligësinë që ata kanë, por shumë rrallë bën vaki të duan të mirat që ata mund të kenë, edhe nëse ato nuk janë të pakta. Ky standard i dyfishtë vjen për shkak të ndjeshmërisë emocionale që kemi ne si njerëz, ndaj e kemi të vështirë të ruajmë ekuilibrin në to. Një mik dhe vëlla do ta duam aq shumë, sa edhe e liga që mund të ketë ai, nuk na bën ta hedhim poshtë apo urrejmë atë, edhe pse e urrejmë këtë ligësi të tij. E kundërta ndodh me hasmit tanë, të cilët vetëm i urrejmë dhe mirësitë e tyre nuk na hyjnë në sy pothuajse fare.
A është kjo drejtësi? Sigurisht që jo.
Por cili është qëndrimi i duhur që pëlqen Zoti?
Feja jonë na mëson ta urrejmë të keqen dhe ta duam të mirën, kudo qoftë ajo. Ajo na mëson ta duam njeriun për të mirën që ka dhe ta urrejmë për të keqen që ka, pavarësisht se cili është ai.
Kështu që i njëjti person mund të duhet dhe urrehet njëkohësisht për aspekte të ndryshme të tij dhe kjo vlen për të gjithë njerëzit. Por sigurisht që njerëzit nuk e aplikojnë këtë gjë në shumicën e rasteve, dhe e konsiderojnë këtë qëndrim normë të drejtë. E drejta nuk përcaktohet nga norma që vendos sjellja njerëzore, por nga ajo që vendos ligji hyjnor.
Sigurisht që është e natyrshme dhe njerëzore që me njeriun tënd të tregohesh më dashamirës, pavarësisht ligësive të tij, por kjo nuk do të thotë se me hasmin tënd duhet të tregohesh i padrejtë, duke e urryer përtej ligësisë së tij, për shkak të largësisë, sepse kjo është padrejtësi.
E Allahu urdhëron drejtësi me të gjithë, edhe me hasmin tënd më të egër, me të cilin të ndan gjëja më e vyer që është besimi.
Ai thotë në Kuran:
“O ju që besuat, qëndroni të patundur për Allahun, dëshmues me drejtësi dhe mos lejoni që urrejtja e një populli t’ju pengojë të jeni të drejtë. Jini të drejtë; kjo është më pranë përkushtimit.” (el-Maide:8)
Ky ajet zbriti pikërisht për idhujtarët e Mekës, që kishin qenë armiqtë më të egër të muslimanëve dhe të Profetit, kështu që ç’mund të themi për të tjerët?
Dashuria dhe urrejtja janë pjesë e njeriut dhe e besimit njëkohësisht, por ato duhen kontrolluar dhe vënë në shinat që kënaqin Allahun dhe jo egon, ndjesitë e tekat tona.
Hoxhë Justinian Topulli