Të dielën mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se të dielën do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, për siç thotë ai, të sigurohen se gjithçka do të shkojë mirë me çështjen e ndërrimit të targave të serbëve në Kosovë dhe për dokumentet e përkohshme që do t’u jepen qytetarëve serbë që hynë në territorin e Kosovës.

Në konferencë për shtyp të shtunën nga Aeroporti “Adem Jashari”, Kurti u shpreh se duhet t’i keni parasysh të gjitha rreziqet pasi thotë se ka kriminel që duan ta sfidojnë shtetin.

“Mbledhje të Këshillit të Sigurisë do të kemi me krerët e autoriteteve të sigurisë dhe me disa ministra. Do të diskutojmë për çështjet që mund të na shfaqen e të cilat duhet t’i kemi parasysh. Ka kriminel të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme që nuk i pëlqen ligjshmëria e kushtetuta dhe dëshirojnë ta sfidojnë shtetin. Kjo mbledhje është organizuar për të shikuar masat që janë planifikuar të merren që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet për të zbatuar vendimin e Qeverisë”, ka thënë ai.

Nga 1 gushti qytetarët e Serbisë që hynë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje në të të gjitha pikat kufitare, një masë të ngjashme të cilën tash e sa vjet e aplikon Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu nga 1 gushti fillon regjistrimi i veturave që posedojnë targa ilegale që të kthehen në targa RKS.