Shkruan: Dr. Fidan Mustafa
“Vlera e një të arsimuari në Kosovë është aq sa ti je një karrem i peshkimit për të realizuar një interes të diplomacisë publike, organizatave ndërkombëtare apo subjekteve politike, ku pastaj ti zëvendësohesh me dike tjetër për të vazhduar peshkimin e pafund në shoqërinë tonë të ambicieve të mëdha se një ditë do të bëhet mirë|”.
Arsimimi tek familjet kosovare, dhe shqiptarët në përgjithësi, mbetet një ëndërr e cila ‘nesër’ fëmijës dhe familjes së tij do t’i sillte një të ardhme të ndritur dhe të merituar në shoqëri. Rruga deri këtu për të arsimuar një fëmijë, familjes i kushton sa thinjat e kokës së tij. Arsimimi i fëmijëve sot në Kosovë është aq i kushtueshëm sa në disa raste kalon edhe shpenzimet e gjithë familjes anën tjetër.
Përveç kostos ekonomike, arsimimi i fëmijëve shpenzon edhe kohën e çdo të riu ku pjesën dërmuese të jetës së tij e kalon nëpër banka të ndryshme shkollore e universitare me qëllimin e vetëm që një ditë ai të ketë perspektiven dhe vendin e merituar në shtetin dhe shoqërinë që i takon.
Por sa realizohet në realitet kjo ëndërr…!?
Me një shoqëri kur humanizmi është kthyer në marketing publik. Me një shtet ku vlera e intelektualit të arsimuar është kthyer ne vlerësim përmes numrit të votave apo pasuesve që ka. Me një shoqëri kulturore kur njerëzit vrapojnë pas formave e mënyrave për të arritur pasues nëpër rrjetet sociale, mbetet fare pak premtuese kjo ëndërr për të rinjtë tanë.
Të arsimuarit në Kosovë gjejnë para vetës vetëm dy rrugë për t’u inkuadruar në shoqëri por jo për t’i shërbyer shoqërisë.
E para: Një pjesë e konsiderueshme e të rinjve të arsimuar, pas përfundimit të studimeve duhet të i shërbejnë ambasadave të ndryshme dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë. Sepse ata ishin bursistë të tyre dhe në një formë duhet të shpaguhet investimi tek ta. Pasi që falas në këtë dynja është vetëm djathi në kurthin e miut.
Forma e këtij shërbimi pastaj vjen përmes anës së “Diplomacisë Publike”. D.m.th, kur një student arsimohet jashtë, ai apo ajo, faktikisht është një ambasador pa protokoll në vendin e kthimit.
Ai përmes mekanizmave të rrjetit diplomatik apo të organizatave ndërkombëtare një ditë shndërrohet në mekanizëm të promovimit të kulturës, interesave dhe objektivave politike, ekonomike, sociale, gjeopolitike etj.
E dyta: Të rinjtë të cilët arsimohen në Kosovë, perspektiven e arritjes së një vendi pune që nesër të shfaqin talentin e tyre, e shohin përmes inkuadrimit me ndonjë subjekt politik. Dhe çfarë ndodh pastaj..?
Pastaj…, duhet të buzëqeshësh me broçkullat e ‘palaçove’. Duhet të vraposh e të bindësh njerëzit për të përkrahur idetë të cilat as vet liderët e subjekteve politike nuk i besojnë por që i prezantojnë si ëndrra të rinisë dhe të popullit. Duhet të merresh me organizimin e takimeve të ndryshme, evinementeve publike e krejt në fund që të merr fjalën një figurë e cila as 5% e vlerës intelektuale të një studenti nuk e posedon.
E krejt në fund, kur tashmë hapët një mundësi për t’u punësuar në mënyrë profesionale një i arsimuar, këtij të fundit përsëri nuk i ofrohet kjo mundësi, sepse politikbërësit e kanë paksa rrethin e gjerë të familjarëve e farefisit të tyre. Madje atyre asnjëherë ky rreth nuk i përfundon sepse pas kësaj ata fillojnë të punësojnë familjarët dhe njerëzit e interesit me nga dy e tri e në disa raste edhe 4 vende pune.
Pra, vlera e një të arsimuari në Kosovë është aq sa ti je një karrem i peshkimit për të sjellë vota me një subjekt politik dhe pastaj ti ndërrohesh me dikë tjetër për të vazhduar peshkimin e pafund në shoqërinë tonë të ambicieve të mëdha se një ditë do të bëhet mirë.