Derisa zgjedhjet lokale në vend po afrohen, partitë politike janë në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët do t’i nominojnë për kryetarë të komunave.
Ndonëse, një numër i madh i kryetarëve aktual janë të akuzuar si dhe të dënuar, kjo nuk i ka penguar ata që të udhëheqin me komunat prej nga vijnë. Mirëpo, të gjithë ata kryetarë të cilët janë me precedentë penalë pritet të mos kandidohen nga partitë e tyre për një mandat tjetër.
Kështu së paku janë deklaruar disa nga partitë kryesore në vend, kandidatët e të cilëve kanë probleme me ligjin, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Ndonëse, sipas zgjedhjeve të fundit Partia Demokratike e Kosovës ka qenë subjekti më i votuar, kjo parti prin edhe me numrin më të madh të kryetarëve të cilët kanë precedentë penalë. Listës së kryetarëve të dënuar i prin kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i pasuar nga ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, i cili ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të kësaj komune si dhe nga ai i Prizrenit, Ramadan Muja.
Mirëpo, përveç kryetarëve të dënuar, edhe një kryetar i komunës që udhëhiqet nga kjo parti është duke u akuzuar nga Prokuroria e Shtetit për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërsa, ish-kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili vinte nga Partia Demokratike e Kosovës është larguar nga Kosova pasi që i njëjti ishte duke u ndjekur penalisht nga Prokuroria e Shtetit.