Qëllimi i Qeverisë Hoti dhe partive në pushtet, është që përmes shuarjes së kësaj Task-Force (Departamentit Special Anti-Korrupsion), të shkatërrojë me dhjetëra raste penale që janë proces, ku të dyshuar janë eksponentë të lartë nga politika, thotë për lajmi.net drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Ai ka thënë se qëllimi i kësaj Task-Force ishte profilizimi dhe specializimi i saj në fusha të luftimit të korrupsionit dhe krimeve financiare.
“Sidoqoftë, për Qeverinë Hoti me këtë qasje nuk është me rëndësi promovimi i sundimit të ligjit në Kosovë, por shkatërrimi i rasteve në proces ku me dhjetëra zyrtarë të lartë të LDK-së dhe AAK-së kanë qenë duke u hetuar nga kjo Task-Forcë dhe në mënyrë që këto raste të dështojnë”, ka thënë Miftaraj.
Sipas Miftarajt , një qeveri normale nuk shuan mekanizma të specializuar në luftimin e korrupsionit dhe krimeve financiare brenda ditës, pa asnjë analizë paraprake, pa asnjë konsultim me partnerët ndërkombëtare që e kanë ndihmuar këtë Task-Forcë me miliona Euro.
Miftaraj thotë po ashtu se vendimi për shfuqizimin e Task-Forcës nga qeveria bie në kundërshtim me dokumentet e politikave lidhur me rishikimin funksional të sundimit të ligjit, që sipas tij thonë në mënyrë taksative se kjo Task-Forcë duhet të fuqizohet dhe jo të shuhet.
“Pa hyrë në atë nëse kjo Task-Forcë ka qenë e suksesshme apo jo, një shtet normal, një qeveri normale nuk shuan mekanizma të specializuar në luftimin e korrupsionit dhe krimeve financiare brenda ditës, pa asnjë analizë paraprake, pa asnjë konsultim me partnerët ndërkombëtare që e kanë ndihmuar këtë TAsk-Forcë me miliona Euro. Aq më tepër, kur një vendim i tillë merret në kundërshtim të plotë me dokumentet e Rishikimit Funksional të Sektorit të SUndimit të Ligjit, dokumente që janë hartuar pas një analize të gjatë prej katër viteve nga MD, MPB, KGJK, KPK, Policia e Kosovës, SHBA, BE, Këshilli i Evropës, UNDP, etj. Rishikimi Funksional njeh rëndësinë e kësaj Task Force dhe ndër të tjera rekomandimet e këtij Rishikimi kanë propozuar që Task-Forca të rris integritetin dhe profesionalizmin në trajtimin e rasteve e në asnjë rrethanë të shuhet”, ka thënë Miftaraj për lajmi.net.
Për mbylljen e Departamentit Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili tha se vendimi i qeverisë për të shuar Taskë-Forcën kundër korrupsionit ngrit shqetësime serioze mbi vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin.
“Fatkeqësisht, vendimi i qeverisë për të shuar Taskë-Forcën kundër korrupsionit ngrit shqetësime serioze mbi vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin në mënyrë efektive”, ka shkruar në Twitter ambasadori Rohde.
Departamenti Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion” ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.
Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.
Kabineti qeveritar i Kosovës të hënën ka vendosur të mbyllë këtë departament, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të mërkurën në një konferencë për media tha se në kohën kur është marrë vendimi për themelimin e këtij departamenti, ka qenë vendim anti-kushtetues.