Përbërësit për tavë me diametër 24 cm: ● 200 g miell ● 2-3 lugë ujë ● 60g gjalpë i butë në temperaturë ambienti ● 80g Pesto Genovese e përgatitur në shtëpi ose e gatshme ● 300 g domate qershiza ● 250 g rikota ose gjizë e cilësisë së mirë ● 1 grusht fara pishe të pjekura në tigan pa vaj për pak minuta ● rozmarinë, kripë, piper
Përgatitja: Në një tas ose në robot përziejmë miellin me gjalpin të prerë në kubikë, peston dhe 2-3 lugë ujë. I përziejmë me dorë derisa të kemi një brumë homogjen. E mbështjellim me plastmasë kuzhine dhe e lëmë të pushojë në frigorifer për 30 minuta. Ndezim furrën në 180°C. Hapim brumin me petës me trashësi 5mm afërsisht. E vëmë petën në tavën e lyer më parë me pak vaj ulliri dhe miell. E shpojmë bazën e petës me pirun që ajo të mos fryhet gjatë pjekjes. E pjekim në furrë për 30/35 minuta, afërsisht. Kur baza e pjekur të jetë ftohur plotësisht, e mbushim me rikotën, të cilën e kemi përzier paraprakisht me vaj ulliri, kripë e piper. Vendosim sipër domatet e prera në copa të vogla, fara pishe dhe rozmarinë të freskët.
Kjo recetë u përgatit nga Linda Fishta