Tartë me brokoli; Drekë e lehtë dhe e shijshme

Ky lloj brumi që në Itali e quajnë “pasta matta”, është një alternativë e mirë e brumit frolla dhe brumit brisèe pasi përgatitet shpejt, ka më pak kalori dhe është më i shëndetshëm, pasi për përgatitjen e tij përdorim vaj ulliri dhe ujë në vend të gjalpit dhe vezëve. Mund të përgatisim me të tarta të kripura, por edhe të ëmbla (në këtë rast hedhim një lugë sheqer). Bëhet me miell të bardhë ose integral, si në këtë rast.

PËRBËRËSIT PËR BRUMIN – TAVË ME DIAMETËR 26 CM:

80ml vaj ulliri 120ml ujë 300g miell integral 1/2 lugë kafeje kripë

PËRGATITJA E BRUMIT:

Në një tas hedhim miellin dhe kripën, i përziejmë pak me dorë dhe më pas hapim një gropë të vogël në mes, ku do të hedhim ujin dhe vajin. Përziejmë në fillim me pirun dhe më pas me dorë, sa të bëhet pak më i butë se brumi i byrekut. Nëse kemi kohë, e lëmë të pushojë 30 minuta në frigorifer të mbështjellë me letër plastmase për kuzhinë.

PËRBËRËSIT PËR MBUSHJEN:

1 brokoli 300g gjizë me kripë 2 vezë kripë, piper dhe arrë moskat sipas dëshirës

PËRGATITJA E MBUSHJES:

Ziejmë brokolin me avull ose në tenxhere me ujë të kripur. Më pas e grijmë në blender së bashku me gjizën, vezët, kripën, piperin dhe arrën moskat. Hapim brumin e përgatitur më parë me petës duke i dhënë formën e tavës që do të përdorim, por duke veshur edhe anësoret e tavës për 2/3cm. Shpojmë bazën me pirun, hedhim mbushjen dhe më pas e pjekim në furrë për 35/40 minuta në furrën e ngrohur më pare me 180°. E shërbejmë të vakët ose të ftohtë.