Tartë e shpejtë me çokollatë dhe mjedër

Nëse e njihni pak tregun e frutave dhe zarzavateve, me siguri keni parë mjedrat që po i shtohen çdo ditë e më shumë tregut. Janë të shijshme, pak të athëta dhe shkojnë shumë mirë me çokollatën! Provojeni këtë tartë që përgatitet fare thjeshtë!

Përbërësit për tavë me diameter 22-24cm

Për bazën: 300g biskota Ringo ● 80g gjalpë i tretur i ftohtë

Për kremin: 400ml pana ● 250g çokollatë me qumësht ose e zezë ● 300g mjedër + disa kokrra për zbukurim

Përgatitja:

  1. Për bazën: grijmë në mikser biskotat derisa të bëhen si pluhur, shtojmë më pas gjalpin dhe i përziejmë edhe për një minutë. E hedhim këtë përzierje te tava e lyer më parë me gjalpë, e shtypim mirë me shtypësen e mishit ose fundin e një gote. E vëmë në frigorifer për 60 minuta ose te ngrirja për 30 minuta.

2. Kur duhen edhe pak minuta nga koha e ftohjes së bazës, përgatisim kremin: shkrijmë çokollatën në banjëmari

dhe e lëmë mënjanë. Ngrohim panën në një tenxhere të vogël me flakë të ulët, por jo të marrë valë. Kur është akoma e nxehtë, e përziejmë me çokollatën me rrahësin e vezëve me dorë për pak minuta, derisa të bëhen si krem homogjen. E lëmë të vaket pak.

3.Vendosim mjedrat mbi bazën në të gjithë sipërfaqen e saj. I mbulojmë sipër me kremin e çokollatës dhe e lëmë në frigorifer për të paktën 2 orë, ose derisa çokollata të jetë ngurtësuar. E nxjerrim nga frigoriferi pak minuta më parë se ta shërbejmë. Mund të ruhet për 2 ditë në frigorifer e mbuluar me letër alumini.