Zbatimi i tarifave të reja të energjisë elektrike, ka ngritur çmimin e rrymës për një numër të madh të konsumatorëve, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, përderisa autoritetet thonë se çmimet e strukturës se re paraqesin çmime mesatare të tarifave të nivelit të vitit 2016.
Ndryshe, nga fillimi i këtij muaji, autoritetet kompetente kanë filluar zbatimin e tarifave të reja të energjisë elektrike të cilat, siç thuhet, synojnë thjeshtëzimin që konsumatorët të kontrollojnë konsumin e tyre.
Si rezultat i këtij ndryshimi, më nuk aplikohen tarifat sezonale (verë – dimër) kurse konsumatorët familjarë më nuk do të paguajnë sipas blloqeve tarifore në bazë të nivelit të konsumit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Adelina Murtezaj, zëdhënëse në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës, që njihet me shkurtesën ZRRE.
“Me strukturën e re, tek të gjithë konsumatorët do të aplikohen vetëm tarifat ditore – tarifa e lartë dhe e ulët (ditë-natë). Dhe kjo është bërë për shkak të konsumit të përgjithshëm dhe kapaciteteve të përgjithshme që Kosova ka për gjenerim të energjisë. Prej tash e tutje, çdo kilovat i orës për secilin konsumator për periudhën e natës do të kushtojë për 0.3 cent, kurse për tarifën e ulët të ditës do të kushtojë 0.7 cent“, ka thënë Murtezaj.
Por, Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se tarifat e reja shtrenjtojnë energjinë elektrike për shumicën e konsumatorëve të amvisërisë të cilët kanë shpenzuar deri në 600 kilovat orë energji elektrike gjatë një muaji.
Sipas tij, mbi 80 për qind e konsumatorëve në Kosovë kanë shpenzuar deri në 600 kilovat.
Sipas hulumtimeve që ka bërë kjo organizatë, rezulton se energjia elektrike për një numër të konsumatorëve do të shtrenjtohet prej 15 deri në 30 për qind.
“Ne kemi bërë disa kalkulime për tre lloj konsumatorësh. Për ata që shpenzojnë më pak, mesatarisht dhe ata që shpenzojnë shumë dhe kemi dalur me kalkulime se në tërësi gjatë vitit, konsumatorët që kanë shpenzuar prej 400 deri 600 kilovat, do t’u shtrenjtohet rryma për 15 për qind si mesatare vjetore, kurse gjatë verës mbi 30 për qind”.
“Kurse konsumatorëve më të mëdhenj, të cilët kanë shpenzuar nga 1000 – 2000 kilovat orë energji ata do të pësojnë një ulje e cila do të jetë ekuivalente me këtë rritjen, që do të paguajnë shtresat më të ndjeshme të shoqërisë”, ka thënë Abazi.
Edhe disa qytetarë pohojnë se ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike, është maskim i formës se veprimit të autoriteteve kompetente. Aziz Islami, me profesion skulptor, konsideron se ndryshimi i tarifave nënkupton rritje të çmimit të këtij produkti.
“Është një formë kamuflazhe te qytetarët për të zbutur situatën. Zbatimi i tarifave të reja nuk është në favor të qytetarëve, sepse edhe ashtu çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë. Për mua kjo është kamuflazh që në një mënyrë më rehabilitu masën”.
Tarifa e re e energjisë sipas autoriteteve kompetente do të nxis konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e ditës në kohën e natës.
Nga data 1 prill deri më 30 shtator tarifa gjatë ditës do të jetë tarifë e lartë që aplikohet në mes të orës 08:00h – 23:00h, ndërsa gjatë natës do të jetë tarifa e ulët e aplikueshme prej orës 23:00h – 08:00h.
Përderisa, nga 1 tetori deri më 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00h – 22:00h dhe tarifa gjatë natës do të jetë në mes të orës 22:00h – 07:00h.
Sidoqoftë, deri para këtij muaji në Kosovë janë zbatuar disa struktura të tarifave me pakicë të energjisë elektrike, me çmime të ndryshme, ndërsa janë ndarë edhe për sezonin veror dhe dimëror.
Gjatë sezonit të dimrit për konsumatorët që kanë shpenzuar deri në 600 kilovat, çmimi i energjisëka qenë nga 2.79 centë deri në 11.17 centë.
Kurse, gjatë sezonit të verës këta konsumatorë kanë paguar për kilovat të rrymës se shpenzuar nga 1.99 centë deri në 8.00 centë.