Targave të automjeteve u vendosin stikersa “SRB-KM” në veri të Mitrovicës

Të martën mbrëma në veri të Mitrovicës, targave të disa veturave u janë vendosur stikersa me mbishkrimin “SRB-KM”.

Në një prononcim për Telegrafin, drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Hoti tha se ende nuk dihet se kush mund ta ketë bërë këtë.

“Për rastin është raportuar në polici. Policia është në vendin e ngjarjes. Ende nuk kemi ndonjë raport.Pasi të kthehen Policia kontaktojmë me prokurorin dhe shohim tutje”, ka thënë Hoti për Telegrafin.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 29 qershor ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Sipas komunikatës me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS.

“Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në njoftim.