Në prag të takimit të nesërm të delegacioneve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Turqisë në Bruksel, komesari i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn deklaroi sot se është e një rëndësie të veçantë që kanalet e dialogut mes dy palëve të mbahen të hapura, për çka takimi i nesërm është shumë i rëndësishëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke vënë në dukje se Republika e Turqisë është një fqinj i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, komisioneri Hahn tha se në takimin e nesërm do të diskutohet bashkëpunimi në sektorin e energjisë, luftën kundër terrorizmit, sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes.
Tema kryesore e takimit të nesërm do të jetë procesi i integrimit të Turqisë në BE, ndërsa i pyetur të komentojë deklaratën e ministrit turk për BE, Omer Çelik për domosdoshmërinë e hapjes së kapitujve 23 dhe 24, Hahn tha se në parim, ai çdoherë përkrah hapjen e kapitujve të rinj, por se në rastin konkret kjo nuk do të ndodhë nga shkaku i një vendimi të dhjetorit që të mos hapen kapituj të rinj.
Hahn foli edhe për tensionet në raportet Gjermani-Turqi, duke thënë se BE-ja paraqet një tërësi dhe se tensionet mes Ankarasë dhe Berlinit ndikojnë edhe mbi shtetet tjera anëtare.
Komesari për Zgjerim ka mohuar zërat sipas të cilave mund të ndodhë një bllokadë e fondeve evropiane dedikuar Turqisë sepse siç tha Turqisë i janë alokuar 4.2 miliardë dollarë për periudhën 2014- 2020, por se aktualisht janë zbatuar vetëm 190 milionë.
“Nëse Turqia dëshiron diçka nga BE-ja, atëherë do të duhet të respektojë vlerat e Bashkimit Evropian”, tha Hahn.