Zabiullah Mujahidi vlerësoi për Grupin Mediatik Kinez vrasjen e 10 civilëve nga e njëjta familje, 7 prej të cilëve fëmijë, në sulmin e 29 gushtit, ku një dron amerikan goditi një automjet në kryeqytetin Kabul të Afganistanit.
I emëruar “Zëvendësministër i Kulturës dhe Informacionit” në qeverinë e përkohshme të formuar në Afganistan, Zabiullah Mujahidi tha se ky sulm me pasojë vdekjen e 10 civilëve nuk ishte rasti i vetëm që inkriminonte SHBA-në.
“Ajo (SHBA) martirizon civilë në Afganistan prej 20 vjetësh”, u shpreh ai.
Duke dënuar incidentin që ai e përshkroi si shkelje të të drejtave të njeriut, Mujahidi tha se pakujdesitë si kjo çojnë në katastrofa humanitare.
“Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre në të kaluarën dhe të bashkëpunojnë me popullin e Afganistanit si një mënyrë për të zhdëmtuar vdekjet dhe shtypjen në vend”, vlerësoi zyrtari taliban.
Ndërsa ushtria amerikane ishte në fazat përfundimtare të tërheqjes së saj nga Afganistani, u raportua se një dron i Forcave Ajrore të SHBA-së ndoqi për orë të tëra dhe goditi në Kabul më 29 gusht një automjet me pretendimin se “i përkiste elementeve të DAESH/H, degë afgane e DAESH-it, dhe se do të kryente një sulm në aeroportin e Kabulit”.
Më pas u konstatua se 43-vjeçari Zumaray Ahmedi, i cili u vërtetua që punonte si inxhinier elektrik në “Nutrition and Education International” (NEI), një grup bamirësie dhe lobimi me seli në Kaliforni, vdiq si pasojë e sulmit ajror bashkë me 9 civilë të tjerë anëtarë të së njëjtës familjeje, mes tyre edhe 7 fëmijë, teksa hyri në oborrin e shtëpisë së tij.
Gjithashtu u mësua se Ahmed Nasser, një prej viktimave të sulmit në fjalë, ishte një përkthyes që punonte për ushtrinë amerikane. /trt