Talebanët kanë hyrë në Kabul: ata kanë urdhëruar luftëtarët e tyre të shmangin dhunën në qytet dhe të lejojnë kalim të sigurt për këdo që vendos të largohet, sipas një zëdhënësi.
“Milicët thonë se nuk duan ta marrin kryeqytetin me forcë”, raportoi The Guardian, duke cituar deklaratën e zëdhënësit.
Sipas banorëve, të shtënat me armë dhe luftimet janë duke u zhvilluar në kryeqytetin afgan.
“Emirati Islamik urdhëron të gjitha forcat e tij të presin në portat e Kabulit, të mos përpiqen të hyjnë në qytet”, shkroi në Twitter Zabihullah Mujahid, zëdhënës i talebanëve.
Megjithatë, banorët konfirmuan praninë e “luftëtarëve të armatosur talebanë nëpër lagje “, edhe pse, tani për tani, sipas një banori të zonës lindore të kryeqytetit, nuk ka luftime.
Negociatorët talebanë po shkojnë drejt pallatit presidencial në Kabul për të negociuar një transferim paqësor të pushtetit, sipas raportimit nga një burim afgan në Associated Press.
Ndërsa, sipas BBC, presidenti afgan Ashraf Ghani, aktualisht, po zhvillon konsultime urgjente me të dërguarin amerikan, Zalmay Khalilzad dhe përfaqësues të tjerë të NATO-s. /atsh