Zëdhënësi i qeverisë së përkohshme të Afganistanit ka njoftuar se administrata talebane ka liruar qindra anëtarë të saj nga detyrat e tyre për shkak të praktikave abuzive, transmeton Anadolu Agency (AA).
Inamullah Samangani përmes rrjeteve sociale u shpreh se 1.895 anëtarë talebanë janë shkarkuar deri më tani, duke përfshirë administratorë në disa provinca që ai nuk i përmendi.
Sipas zëdhënësit Samangani, disa nga anëtarët e suspenduar talebanë u morën në paraburgim, ndërsa të tjerët u morën në pyetje.
Pas krijimit të një qeverie të përkohshme talebane më 7 shtator, talebanët themeluan një komision për “pastrimin e radhëve” dhe njoftuan se ai kishte filluar të funksiononte.
Komisioni kishte për detyrë të ndëshkonte ata që abuzonin me emrin e talebanëve duke i larguar ata nga organizata.
Udhëheqësi i talebanëve, Haibatullah Akhundzada, lëshoi një deklaratë më 4 nëntor duke paralajmëruar komandantët kundër rrezikut të infiltrimit. /aa