Talebanët pretenduan se kanë pushtuar qytetin e rëndësishëm strategjik Ghazni në pjesën qendrore të Afganistanit, duke e bërë atë kryeqytetin e 10-të krahinor që bie nën kontroll të kryengritësve në vendin e shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).
I vendosur vetëm rreth 150 kilometra nga Kabuli, Ghazni lidh Afganistanin jugor dhe perëndimor me kryeqytetin.
“U pushtua edhe kryeqyteti i provincës Ghazni”, tha në Twitter zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahed, duke publikuar pamjet e luftëtarëve të grupit brenda qytetit.
“Në qytetin Ghazni, para disa momenteve u pushtuan plotësisht zyra e guvernatorit, shefit të policisë, burgu, njësia rezervë, qendra e reagimit të shpejtë, tempulli dhe qendra e njësitit Zero-6. Një numër i madh i ushtarëve u vranë dhe dhjetëra të tjerë u dorëzuan. U konfiskua një numër i madh i armëve dhe pajisjeve”, pohoi ai.
Nasir Ahmad Faqiri, kreu i asamblesë krahinore, konfirmoi rënien e qytetit, duke thënë se kjo erdhi si rezultat i një “marrëveshjeje” me guvernatorin krahinor.
Pushtimi i qytetit vjen një ditë pas një përplasjeje të madhe në krye të Ushtrisë Kombëtare Afgane, pasi dy udhëheqës të rinj ushtarakë të ashpër morën përgjegjësinë për forcat e armatosura të rregullta, si dhe njësitë speciale të ushtrisë.
Në kohën kur talebanët vazhdojnë me avancimet territoriale në vendin e shkatërruar nga lufta, gjeneral Hibatullah Alizai mori përgjegjësinë si shef i forcave të armatosura ndërsa gjenerali Sami Sadat mori drejtimin e forcave speciale.
Sadat më parë drejtoi Trupat 215-Maiwand të ushtrisë në zonën e konsideruar si qendër e talebanëve në Afganistanin jugor, ku ai u vlerësua për zmbrapsjen e avancimeve të mëdha të talebanëve në qytetin Lashkargah.
Gjeneral Alizai kryesoi më parë forcat speciale të ushtrisë.
Numri i madh i vdekjeve që forcat afgane pretenduan se ua kanë shkaktuar kryengritësve, me sa duket, nuk kishte ndikim dhe talebanët vazhduan me avancimin e tyre në qendrat urbane pasi pushtuan rreth 200 rrethe rurale.
Ghazni u bë kryeqyteti i 10-të provincial pas provincave Fayzabad, Aybak, Qala-e-Nau, Lashkargah, Zaranj, Sheberghan, Kunduz, Taluqan dhe Sar-e-Pul.
Pasi morën mbi 200 rrethe rurale muajin e kaluar mes tërheqjes së forcave të NATO-s, talebanët filluan sulme mbi qytetet kryesore, duke marshuar në Herat, Kandahar, Taluqan dhe Lashkargah, duke shkaktuar panik dhe ankth në mesin e miliona civilëve. /aa