Talebanët festojnë teksa trupat e fundit amerikane largohen nga Afganistani

Ka pasur të shtëna festive dhe fishekzjarre në të gjithë kryeqytetin afgan, Kabul, derisa të hënën trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani, pak para afatit të 31 gushtit të rënë dakord me talebanët, raporton Anadolu Agency (AA).

Vetëm dy javë më parë, talebanët kishin marrë Kabulin, ndërsa presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Pentagoni tha se fluturimi i fundit tashmë është larguar dhe të gjitha forcat ushtarake amerikane tani janë jashtë Afganistanit.

“Sonte në orën 24:00 (koha e Afganistanit), ushtari i fundit amerikan u largua nga Afganistani. Vendi ynë fitoi pavarësinë e plotë. Falënderimi i takon Allahut. Urime të përzemërta për të gjithë bashkatdhetarët!”, tha Suhail Shaheen, zëdhënësi i grupit në Twitter.

“Falë Zotit, të gjithë pushtuesit janë larguar plotësisht nga vendi ynë”, shkroi në Twitter, Mohammad Naeem, zëdhënës i zyrës politike të talebanëve në Katar.

“Ne sërish bëmë histori. Pushtimi 20-vjeçar i Afganistanit nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO ka përfunduar sonte …”, shkroi Anas Haqqani, një zyrtar i lartë, në Twitter.

Videot e zëdhënësit Zabihullah Mujahid duke iu drejtuar një grupi luftëtarësh në Aeroportin e Kabulit u postuan gjithashtu në internet.

Shumë afganë që punuan me forcat perëndimore, nga frika e hakmarrjes, janë larguar nga Afganistani. Tani të gjithë sytë janë mbi talebanët se çfarë lloj rregulli do të vendosin në vendin e ndarë etnikisht. Grupi thotë se është në procesin e formimit të një qeverie “gjithëpërfshirëse”. /aa