Nga Herati në perëndim në Gazni në lindje dhe në Kandahar, në jug, njëra pas tjetrës, kryeqytetet krahinore afgane po bien në duart e talebanëve, të cilët po marrin përsëri me një shpejtësi befasuese kontrollin e vendit.
Marshimi për në Kabul deri tani duket i pandalshëm dhe SHBA ka vendosur të dërgojë 3 000 trupa për të mbrojtur personelin diplomatik dhe të gjithë stafin e ambasadës.
Një njoftim i ngjashëm është bërë edhe nga Britania e Madhe.
Përparimi i talebanëve të kujton atë që i ka parë ata si protagonistë në mesin e viteve ’90, kur ata erdhën në pushtet për të krijuar një kalifat, të udhëhequr nga mullahu Omar.
Ata janë tani 150 kilometra nga kryeqyteti Kabul, ku mijëra civilë po ikin në kushte të dëshpëruara.
Rënia e kryeqytetit tani duket të jetë vetëm një çështje kohe.
Gjermania dhe SHBA kanë ftuar qytetarët e tyre që të largohen nga qyteti dhe Uashingtoni njoftoi dërgimin e forcave të reja ushtarake pa shpjeguar nëse kontigjenti i ri do të mbetet në Afganistan edhe pas 31 gushtit, data e caktuar nga Joe Biden për tërheqjen e plotë të SHBA-së nga vendi.
Dhe përballë rrezikut të një përshkallëzimi, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby siguroi se aeroporti i Kabulit nuk do të përdoret për të sulmuar talebanët.
Përshkallëzimi i luftimeve ka shkaktuar 1 000 viktima, çka ka nxitur Francën të pezullojë riatdhesimin e afganëve të emigruar ilegalisht, siç kishin bërë më parë edhe Gjermania, Holanda, Suedia dhe Finlanda. /atsh