Samiti i Ballkanit Perëndimor nuk kaloi pa tensione në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në këtë Samit ishte e ftuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ku edhe u diskutuan edhe raportet me Kosovën.
Sipas raportimeve në mediet serbe, në këtë Samit kishte tensione dhe pakënaqësi mes Kurtit dhe Bërnabiqit, sa i përket taksës, shkruan lajmi.net.
Kjo për shkak të ideve të kundërta mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me taksën.
Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, edhe në këtë Samit ka kërkuar nga Kurti që të hiqet tarifa prej 100 për qind e vendosur për mallrat serbe dhe boshnjake, pasi që sipas saj, kjo taksë është e dëmshme për rajonin dhe tërheqjen e investimeve.
“Vendosja e taskës është e keqe për rajonin. Kjo është arsyeja pse, edhe një herë, unë po kërkoj nga zotëri Kurti që të mendojë për tarifat sepse duhet të jemi praktik nëse duam të rrisim tregtinë dhe të tërheqim investime, sepse qytetarët e presin këtë gjë nga ne”, theksoi Bërnabiq në fjalimin e saj, transmeton më tutje lajmi.net.
Mirëpo, Kurti në fjalimin e tij, i është kundërpërgjigjur homologes së tij serbe, Bërnabiq, duke thënë se taksa do të zëvendësohet me reciprocitet.
Kurti ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme që të bashkëpunoj me Serbinë për të përmirësuar marrëdhëniet, por që tarifa do të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.
“Ne duam që tarifën ta zëvendësojmë me masën e reciprocitetit dhe kjo nuk duhet të konsiderohet si hakmarrje, por ne jemi duke u ndjerë të diskriminuar dhe kërkojmë të jemi të barabartë”, theksoi Kurti, transmeton më tutje lajmi.net.
Theksojmë se kjo është hera e parë që Albin Kurti dhe Ana Bërnabiq janë ballafaquar dhe janë takuar që nga koha kur, Kurti ka ardhur në krye të Qeverisë së Kosovës.