Në takimin e parë bilateral mes tyre, Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Kryeministri i Kanadasë shfaqën edhe njëherë pikëpamje të kundërta sa i përket çështjeve të sigurisë dhe emigracionit. Trump theksoi edhe njëherë se do të deportojë emigrantët e jashtëligjshëm me rekorde kriminale. Nga ana tjetër, Trudeau u shpreh se siguria mbetet një prioritetet, por deklaroi se Kanadaja do të mbetet gjithmonë e hapur për emigrantët.
Në konferencën e tyre të parë për mediat, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, shfaqën edhe njëherë qëndrimet e tyre të ndryshme sa i përket çështjeve të sigurisë dhe atyre të emigracionit. Lideri amerikan Trump, theksoi se ai është i vendosur të mbajë premtimin e bërë gjatë fushatës për të deportuar emigrantët e jashtëligjshëm, e aq më tepër ata që kanë kryer krime gjatë qëndrimit të tyre në brendësi të territorit amerikan.
“Ne do të deportojmë njerëz që janë kriminelë, ne do t’i nxjerrim përjashta. Kjo është ajo që premtova se do të bëja. E thashë që në fillim. Do të nxjerrim djemtë e këqinj jashtë vendit dhe kjo është ajo që po bëjmë. Mendoj se të gjithë janë ekstremisht të lumtur për dicka të tillë. Po ja u përsëris edhe njëherë, njëherëzit janë shumë të lumtur tani me ne” u shpreh Donald Trump.
Megjithatë, nuk ishte në të njëjtin mendim Justin Trudeau. Kryeminsitri i Kanadasë u shpreh se përveç sigurisë është mjaft e rëndësishme që një vend liberal të mbetet i hapur edhe për emigrantët.
“Kanadaja e ka kuptuar gjithmonë se të mbash kanadezët të sigurt është një përgjegjësi themelore e çdo qeverie dhe ne sigurisht që jemi të fokusuar mbi këtë çështje. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ne po vijojmë që të zbatojmë politikat e dyerve të hapura kundrejt emigrantëve pa bërë kompromis për sigurinë. Si pjesë e këtij plani mund të përmendim edhe projektin e suksesshëm të vitit të shkuar, ku mikpritëm afro 40 mijë refugjatë sirianë, natyrisht në koordinim me aleatët tanë dhe Shtetet e Bashkuara” u shpreh Kryeministri i Kanadasë.
Në takimin me dyer të mbyllura, Trump dhe Trudeau folën gjerësisht për çështjet ekonomike si dhe për rëndësinë e angazhimit të grave dhe vajzave në ekonomi.