Liderët e shëndetësisë nga e gjithë bota kanë dhënë premtimin e parë global për t’i dhënë fund kolerës deri në vitin 2030.
Zotimi i tyre vjen pas situatës alarmante të krijuar në Jemen, ku epidemia ka shpërthyer në nivele rekord. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë, infeksioni mund të kurohet lehtësisht me pajisjet e duhura mjekësore.
Zyrtarë të shëndetësisë nga e gjithë bota janë mbledhur në Francë për t’u angazhuar në parandalimin e 90% të vdekjeve nga kolera deri në vitin 2030.
Sëmundja e cila përhapet përmes ujit të ndotur, i merr jetën rreth 100,000 personave çdo vit.
Kjo është hera e parë që qeveritë, Organizata Botërore e Shëndetit, agjensitë e ndihmës dhe donatorët bëjnë një zotim të tillë.
Lëvizja vjen në një kohë kur Jemeni lufton me një nga shpërthimet më të rënda të kolerës në histori.
Sëmundja është përhapur në vendin e copëtuar nga lufta për shkak të përkeqësimit të kushteve të higjenës dhe ndërprerjeve në furnizimin me ujë.
Më shumë se 770,000 persona janë infektuar me këtë sëmundje dhe 2,000 kanë humbur jetën, shumica prej tyre fëmijë.
Kolera është një infeksion akut diarreik i shkaktuar nga konsumi i ushqimit ose ujit të ndotur me bakterin Vibrio cholera.
Mund të përhapet lehtësisht në kushte të mungesës së higjienës. Infeksioni mund të kurohet lehtë dhe lirë me pajisjet e duhura mjekësore, si dhe mund të shmanget nëse njerëzit kanë akses në ujin e pastër dhe kushte të denja sanitare.
Rreth 2 miliardë persona në botë janë potencialisht të rrezikuar nga kolera sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Agjensia e shëndetit identifikon sistemet e dobëta shëndetësore dhe kapjen jo në kohë të infeksionit si faktorë që ndikojnë në përhapjen e shpejtë të epidemisë./Mesazhi/