Përmbushja e nevojave humanitare të sirianëve është e një rëndësie kritike, theksohet në njoftimin e përbashkët të ministrave, të cilët ishin në Romë për të marrë pjesë në takimin ministror të Koalicionit Global kundër DEASH-it, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit ministror të koalicionit në të cilin ishin të pranishëm më shumë se 80 përfaqësues të vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, një takim ministror me pjesëmarrje të kufizuar mbi Sirinë u mbajt në Qendrën e Expo të Romës.
Midis pjesëmarrësve ishin ministra dhe përfaqësues nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Italia, Turqia, Kanada, Egjipti, Franca, Gjermania, Greqia, Iraku, Irlanda, Japonia, Jordania, Libani, Holanda, Norvegjia, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, gjithashtu edhe përfaqësues të Ligës Arabe dhe Bashkimit Evropian.
Njoftimi i lëshuar pas takimit theksoi se pjesëmarrësit ranë dakord mbi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për refugjatët sirianë dhe vendet pritëse derisa sirianët të kthehen vullnetarisht në shtëpi me siguri dhe dinjitet në përputhje me standardet e UNHCR-së.
“Ne theksuam rëndësinë kritike të përmbushjes së nevojave humanitare, duke përfshirë ndihmën për të shpëtuar jetën dhe përgjigjen ndaj COVID-19, për të gjithë sirianët në nevojë përmes të gjitha modaliteteve, përfshirë përmes sigurimit dhe zgjerimit të mekanizmit ndërkufitar të OKB-së”, theksohet në njoftim.
Duke riafirmuar unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, theksohet se ata janë të përkushtuar të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive për të arritur një zgjidhje politike të besueshme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse bazuar në Rezolutën 2254 të KS-OKB-së.
“Kjo është zgjidhja e vetme që do t’i japë fund konfliktit të gjatë të Sirisë, të garantojë sigurinë e popullit sirian dhe të përmbushë aspiratat e tij”, thuhet në njoftimin. /aa