Mbledhja e parë e ministrave të mbrojtjes së Aleancës Islamike Ushtarake kundër Terrorizmit filloi në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, raporton Anadolu Agency (AA).
Fjalimin e hapjes së mbledhjes me pjesëmarrjen e ministrave të mbrojtjes së 41 shteteve anëtare të aleancës e bëri Princi i Kurorës dhe ministri i mbrojtjes i Arabisë Saudite, Muhamed bin Selman bin Abdulaziz.
Ai duke theksuar se me këtë mbledhje do të tregohet një vullnet i fortë në luftën kundër terrorizmit, tha se “Nuk do të pranojmë terrorizmin e civilëve në vendet islame dhe vlerat tona të përmenden me terrorin”.
Princi kurorës i Arabisë Saudite gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij ndaj Egjiptit për personat të cilët kanë humbur jetën në sulmin terrorist ditën e premte.
Në këtë mbledhje merr pjesë edhe ministri i mbrojtjes i Turqisë, Nurettin Canikli.
Qëllimi i koalicionit
Themelimi Aleancës Islamike Ushtarake kundër Terrorizmit ishte njoftuar nga Princi i Kurorës dhe ministri i mbrojtjes i Arabisë Saudite, Muhamed bin Selman më 14 dhjetor 2015.
Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të 34 shteteve mes të cilëve edhe Turqia, më 15 dhjetor 2015 ishte publikuar një deklaratë e përbashkët, ku mes tjerash theksohej se është vendosur për themelimin e një koalicioni ushtarak nën udhëheqjen e Arabisë Saudite për të luftuar kundër terrorizmit dhe selia qendrore të jetë në Rijad.
Aleanca në të cilën sot gjenden 41 anëtarë përbëhet nga këto shtete: Afganistan, Bahrein, Bangladesh, Benin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Brunei, Burkina Faso, Xhibuti, Çad, Marok, Bregu i Fildishtë, Palestinë, Gambia, Gabon, Guinea, Guinea-Bissau, Katar, Komoret, Kuvajt, Libia, Liban, Maldivet, Malajzia, Mali, Egjipti, Mauritania, Niger, Nigeri, Pakistan, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudan, Arabia Saudite, Togo, Tunizia, Turqia, Uganda, Oman, Jordania dhe Jemen.
Fusha e veprimit
Koalicioni ka për qëllim bashkëpunimin për të luftuar kundër radikalizmit dhe terrorizmit, përcaktimin e një diskursi të përbashkët kundër abuzimit të Islamit, intensifikimin e shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit dhe inteligjencës, si dhe rritjen e solidaritetit dhe bashkëpunimit në këto sfera.
Ministrat e mbrojtjes së Aleancës Islamike Ushtarake kundër Terrorizmit mblidhen për herë të parë.