Takim trepalësh Çavuşoğlu-Lavrov-Zarif në Antalia

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se është e papranueshme që në çfarëdo forumi ndërkombëtar, të marrë pjesë delegacioni i organizatës terroriste PKK/PYD dhe se Turqia për këtë ka njoftuar garantuesit tjetër të procesit të paqes në Siri, pra Rusinë dhe Iranin, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu sot në Antalia u takua me homologët rus dhe iranian Sergej Lavrov dhe Javad Zarif, kurse pas takimit deklaroi se kjo ishte një lloj i takimit përgatitor për samitin e liderëve të të tre vendeve, i cili do të mbahet më 22 nëntor në Soçi.

Duke theksuar se delegacionet e zyrtarëve të tre vendeve ishin takuar edhe dje në Teheran, Çavuşoğlu tha se presidentët e këtyre vendeve në Samitin e ardhshëm në Soçi do të analizojnë të arriturat dhe do të diskutojnë hapat e ardhshëm në procesin e paqes në Siri.

“Në kuadër të procesit të paqes në Astana, kemi bërë përparime të rëndësishme, dhe kjo veçanërisht ka të bëjë me përpjekjet tona për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të paqes në terren në zonat e deesklimit. Krahasuar me vitin e kaluar, situata në terren në Siri është shumë më e mirë. Megjithatë, derisa të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme politike, ne duhet t’i mbajmë këto përpjekje dhe të vazhdojmë luftën kundër organizatës terroriste DEASH. Nga ana tjetër, ne duhet të insistojmë më shumë në gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri”, tha Çavuşoğlu.

Në pyetjen e gazetarit se nëse në Kongresin e ashtuquajtur të Kombeve në Siri, të cilin Rusia planifikon ta mbajë në Soçi, do të ftohen edhe delegacionet e organizatës terroriste PKK/PYD, Çavuşoğlu tha se kjo është një çështje e ndjeshme dhe se pjesmarrja e tyre në çfarëdo ngjarje ndërkombëtare është e papranueshme.

Çavuşoğlu gjithashtu tha se Rusia dhe Irani së shpejti do të dërgojnë një mision vëzhgimi ushtarak në periferi të Idlibit, në brendësi të së cilës tashmë janë angazhuar trupat turke.